Arkeologut të IKMM-së i ka penguar raportimi për “këputjen e konopit” që shkatërroi artefaktin

Me një fotografi prapa pitosit që u thye nga pakujdesia e për çka s’u tregua fare ndjeshmëri, madje u shoqërua me të qeshura, arkeologu Dedë Palokaj ka fajësuar mediat që e transmetuan pamjet e bënë lajm këtë vepër.

Videon e transmetoi së pari KTV-ja, duke shpërfaqur mënyrën se si institucionet e vendit, të thirrura për mbrojtjen e monumenteve të kulturës, në fakt i trajtojnë ato.

Palokaj pretendon se restaurimi i pitosit të thyer e ka kthyer artefaktin në gjendjen e mëparshme, derisa lajmin e ka cilësuar si “cak i sulmeve banale që nxori në pah përkrahësit e së keqes dhe të pështjellimit”. Madje, sipas tij, “ky rast që mori jehonë mediatike shumë lehtë mund të shfrytëzohet për të keq nga armiqtë e vendit, madje për ta prezantuar si pengesë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO”.

Ky është postimi i plotë dhe pa ndërhyrje i Palokajt:

U DRIDH BJESHKA E POLLI MIUN

Mediumet tona shpesh dinë ta bëjnë mizën bullë dhe në fund ju del si ajo thënia: “U dridh bjeshka e polli miun”.

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve në kuadër të projektit të vet, që disa muaj me një grup arkeologësh punon në sistemimin e inventarit arkeologjik i grumbulluar më shumë se 60 vjet. Me ekipin e arkeologëve dhe të puntorëve të IKMM na ndodhi një incident i pa pritur gjatë zhvendosjes të një pitosi antik. Duke u përpjekur për ta bërë më të mirën, litari u këput dhe pitosi u dëmtua, por brenda disa orëve u bë riparimi i tij dhe kështu u kthy në gjendjen e mëparshme. Demtimi i pitosit u bë lajm dite i shumë mediumeve dhe cak i sulmeve banale që nxori në pah përkrahësit e së keqes dhe të pështjellimit. Ata që luajnë me lodrat e së keqes bëhën pengesë e përparimit shoqëror. Sepse ky rast që mori jehonë mediatike shumë lehtë mund të shfrytëzohet për të keq nga armiqtë e vendit, madje për ta prezentuar si pengesë për antarësimin e Kosovës në UNESCO.