Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh shefi i deputetëve të partisë më të madhe në koalicion, Memli Krasniqi gjatë një interviste kishte ftuar vartësit e kryeministrit Haradinaj, që të mos merren me analiza por të kryejnë punët për të cilat kanë përgjegjësi në qeveri.
Krasniqi ka thënë se këta persona nuk mund të ligjerojnë se çfarë është apo nuk është interes i Kosovës, pasi që sipas tij këtë gjë e dijnë më mirë se ata.
“Le t’i shikojnë punët e qeverisjes se për atë ju kemi dhënë përgjegjësi e aty ka punë mjaft. Nuk iu takon vartësve të kryeministrit që të bëhen analista dhe as të merren me spekulime”, ka thënë ndër të tjerash Krasniqi.
Deklaratat e Krasniqit kanë ardhur menjëherë pas deklarimeve të shefit të stafit të kryeministrit Haradinaj, Avni Arifit dhe zëvendësministrit të Mbrojtjes nga radhët e AAK-së, Burim Ramadanit.
Ballkani.info ka provuar të kontaktojë gjatë ditës me këta të fundit.
Arifi nuk ka dashur të komentojë deklaratat e Krasniqit ndërsa Ramadani nuk i është përgjigjur telefonatës. /Ballkani.info







