Kryetari i Preshevës

Arifi: Kurti i përçau shqiptarët e Luginës, rrezikojmë të mbesim pa asnjë deputet

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka fajësuar kryeministrin Albin Kurti për mosunifikimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në një listë të përbashkët për zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi.

Ai ka bërë me dije se Kurti qëllimisht ka ndërhyrë për të përçarë spektrin politik atje.

Sipas tij, kjo ndërhyrje ka bërë që në zgjedhjet e së dielës shqiptarët të garojnë me dy lista zgjedhore.

Në këtë intervistë dhënë gaztës Nacionale, Arifi ka thënë se kjo përçaje do të iu kushtojë shqiptarëve.

“Ne kemi qenë të unifikuar në vitin 2020, por Kurti na ka përçarë. Këtë duhet ta kuptoj secili shqiptar. Nuk është vullneti i jonë që pasi jemi unifikuar në 2020 të përçahemi sërish. Sepse 30 vjet kemi luftuar për të qenë një herë të unifikuar, gjë që ndodhi në 2020”, ka thënë ai.

Arifi ka vlerësuar se spektri politik në Luginë ka pasur vullnet për të qenë i bashkuar.

Ndërhyrja e Kurtit, sipas Arifit, ka qenë e qëllimshme për të prishur marrëveshjen e Tiranës, e cila ishte arritur në vitin 2020 për një listë të përbashkët.

“Vullneti ynë ka qenë që vazhdojmë të jemi të përkrahur nga Shqipëria dhe të unifikuar, por këtu ka ndërhyrë Kurti në vitin 2022 dhe tash në 2023, si një masë që e ka përdoru kundër Tiranës zyrtare”, është shprehur ai.

Ai ka vlerësuar se këtë veprim Kurti e ka bërë për inat të Edi Ramës.

“Pasi ka ndërtuar inate me Tiranën, ka ndërtuar preferenca në Luginë të Preshevës që janë Shaip Kamberi dhe Ardita Sinani dhe përmes tyre është munduar të më luftoj mua. Sepse na jemi të radhitur në drejtim të Tiranës dhe kryeministrit aktual të Shqipërisë”, ka thënë Arifaj.

Ndër të tjera, i pari i Preshevës ka thënë se Qeveria e Kosovës është dashur të këtë qëndrim parimor ndaj dy listave zgjedhore të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Pse Albin Kurti para disa ditëve e ka mbajtur një tubim në Prishtinë dhe thotë votojeni Shaip Kamberin? Pse nuk është një kryeministër që inkuludon, por përçan? Pse nuk del të thotë që i ftojë të dy listat në kryeministri?”, është shprehur ai.

Shqiptarët të zhgënjyer
I pari i Komunës së Preshevësi ka bërë me dije se për shkak të përçarje së spektrit politik pritet të ketë dalje të ulët të shqiptarëve në zgjedhjet e së dielës.

Kjo dalje e ulët, ka thënë ai, rrezikon që shqiptarët kësaj radhe të mbesin pa përfaqësim në Kuvendin e Serbisë.

“Shumë të vogla. Fare hiq. Në vitin 2020 kur kemi qenë të unifikuar i kemi pasur 26 mijë votues që na kanë votuar neve, kur më shumë nuk kemi pasur votues. Vitin e kaluar, kur ndërhyri Kurti dhe përçau shqiptaret në dy lista, i kemi vetëm 13 mijë vota. Pra 50 për qind më pak votues”, ka thënë ai, duke paralajmëruar dalje shumë më të ulët të shqiptarëve.

“Sivjet keni me pa, edhe 50 për qind ka me ra pjesëmarrjeve e shqiptarëve në zgjedhje. Sepse janë të lodhur, iu është gërditur kjo punë prej Shaipit, prej Ragmiut, por edhe prej meje ndoshta. Dallime mes meje dhe atyre është se unë them se drejtimi im është Tirana, kurse e atyre është ego, paraja, interesi, bashkëpunimi me Kurtin”, ka thënë ai.

Lehtësimi i procedurave për shtetësi
Arifi ka përshëndetur propozimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka propozuar që në ligjin e ri për shtetësi, i cili është duke u përgatitur, të parashihen lehtësira në procedurat për marrjen e shtetësisë për shqiptarët nga Lugina e Preshevës.

Ai ka thënë se ky është një hap shumë i mirë, ndonëse i vonuar.

“Veprim i vonuar, por i mirë. Ne u takuam para një muaj me presidenten. Dhe më në fund, është një lajm i mirë. Madje këtë është duke e bërë Osmani”, ka thënë ai.

Arifi ka bërë me dije se Kosova duhet të bëj më shumë për shqiptarët e Luginës.

“Kjo nuk është mjaft, duhet më vazhduar më shumë. Duhet me qenë më pranë nesh. Presidentja Osami e ka për obligim që kryeministrin e saj me e drejtuar kah Lugina e Preshevës, dhe mos të lejoj të veprojë si përçarës. Nuk është në rregull që presidentja me shiku se çka është duke bërë kryeministri në Preshevë, duke i përçarë shqiptarët”, është shprehur ai.

VIDEO BONUS: Memli Krasniqi viziton shkollën “Ali Asllani”, që u harrua nga Qeveria Kurti