Kryetari i Preshevës

Arifi: Këshilltarja e Kurtit është shantazhuar nga bashkëpunëtorët e saj në Beograd

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, e ka akuzuar Ardita Sinanin këshilltaren e kryeministrit Albin Kurti, se është e shantazhuar “nga bashkëpunëtorët e saj në Beograd”. Ai ka shkruar në Facebook të mërkurën se do të hulumtohej rasti i Sinanit, ajo s’do të mund të dekretohej këshilltare e Kurtit.

“Këshilltarja e Kryeministrit, Ardita është e shantazhuar nga bashkëpunëtorët e saj në Beograd e sidomos nga Vulini. Po të hulumtojnë agjensionet e inteligjencës dhe sigurisë se Republikë së Kosovës, ajo nuk do ta merrte certifikatën e sigurisë personale dhe rrjedhimisht nuk do të mund të dekretohej si këshilltare e kryeministrit”, ka shkruar kreu i Luginës së Preshevës, derisa ka publikuar një dokument ku pretendon se Sinani është e akuzuar për korrupsion në Gjykatën e Lartë në Nish, për një skandal mbi 100 mijë euro.

Arifi ka shtuar se “shpreson që Qeveria e Kosovës të mos i ofrojë informacione të larta sepse “do të përfundojnë te Vulini 100%”.

“Në dokumentin që po ndajë me qytetarët e Republikës së Kosovës, shihet qartë se Ardita Sinani ka një padi për korrupsion pranë gjykatës së lartë të Serbisë në Nish, për skandalin e vjedhjes së mbi 100 mijë eurove nga buxheti i Komunës së Preshevës nga fondi për bujqësi dhe ndërmarrësi. Sidoqoftë, shpresoj që Qeveria e Republikës se Kosovës nuk i ofron asaj informacione të larta shtetërore sepse do të përfundojn tek Vulini 100%”, ka përfunduar Arifi.