Njohësi i zhvillimeve politike, Avni Arifi, ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend.
Kuvendi, për të gjashtën herë me radhë, nuk ka arritur të konstituohet për shkak se Lëvizja Vetëvendosje, si parti e parë nuk i ka numrat e nevojshëm për votimin e kryeparlamentarit.
Arifi duke komentuar këtë situatë të krijuar tha se “Karma është ajo që sot po e godet edhe Albulena Haxhiun edhe Kurtin”.
Ai tha se të njëjtit s’kanë patur asnjë tolerancë ndaj kujtdo që ka pasur bindje të lira politike.
“Karma po godet dhe do të godasë edhe më shumë. Po godet tash dhe do të godasë edhe nëse shkojmë në zgjedhje tani, edhe në prill, edhe gjithmonë. Koha e kulturës së deritanishme politike të VV-së ka përfunduar” shkruan Arifi në reagimin e tij.
Reagimi i plotë:
Në jetë, çka t’i bësh dikujt, ji i sigurt se herët a vonë, në një mënyrë apo tjetrën, të kthehet.
Në të folmen moderne kjo po quhet “Karma” dhe po më duket se kjo “Karma” është ajo që sot po e godet edhe Albulena Haxhiun edhe Kurtin. Qe 15 vite si parti parlamentare e Kosovës, s’kanë lënë njeri të ndershëm të Kosovës pa e fyer e pa e linçuar. S’kanë lënë projekt politik të mirë që s’ka qenë i tyre pa e minuar dhe luftuar. Nuk ke mundur të jesh njeri i mirë i Kosovës pa qenë pjesë e VV-së.
Asnjë tolerancë nuk kanë pasur ndaj kujtdo që ka pasur bindje të lira politike.
Kanë mbledhur në vazhdimësi “bërllog” nga partitë e tjera që nuk dinë të qeverisin, por dinë të shajnë dhe më së shumti, të i shajnë ata që në “sofra” të të cilëve për vite të tëra kishin ngrënë dhe pikërisht këta sot i kanë vënë në “saf” të parë. Ata praktikisht kanë mbytur mundësinë e ndërtimit të një partneriteti me besim me këdo në Kosovë. Askush nuk u beson për asgjë, dhe në masë të madhe edhe qytetarët e Kosovës po e kuptojnë se ky koncept qeverisës, përveç “theqafjes”, nuk të çon askund.
Për të qenë parti partnere me cilëndo parti tjetër, LVV duhet të kërkojë falje dhe të kuptojë njëherë e përgjithmonë se partitë e tjera e duan Kosovën dhe të ardhmen e saj. Kosova kudo ka njerëz të mirë dhe jo aq të mirë, por e keqja më e madhe qëndron tek ata vetë, sepse, nëse nuk e kanë mbjellë, e kanë kultivuar me fanatizëm ndjenjën e urrejtjes ndërnjerëzore, ndërpartiake e qe besa edhe ndërshqiptare.
Karma po godet dhe do të godasë edhe më shumë. Po godet tash dhe do të godasë edhe nëse shkojmë në zgjedhje tani, edhe në prill, edhe gjithmonë. Koha e kulturës së deritanishme politike të VV-së ka përfunduar.







