Arianit Koci: Sami Lushtaku është njeri skajshmërisht human

Fjalë të mëdha për karakterin e Sami Lushtakut ka thënë Arianit Koci, avokati mbrojtës i ish-komandantit të UÇK-së, i cili po përballet me drejtësinë lidhur me dyshimet për korrupsion në një tender 6 milionë eurosh të Koorporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Avokati Koci, në seancën gjyqësore për rastin e tenderit 6 milionësht të KEK-ut për të cilin akuzohet Lushtaku, ka zthënë se Sami Lushtaku është viktimë dhe se aktakuza e Prokurorisë së Shtetit merret edhe me karakterin e Lushtakut, i cili sipas Kocit, është shumë human.

“Aktakuza merret edhe me karakterin e Lushtakut. Ai nuk është engjëll por ka karakterin e vet dhe nuk di njeri që i ka kërkuar ndihmë e ky si ka ndihmuar, ka karakter e dinjitet dhe është njeri skajshmërisht human”, tha Koci, në seancën e mbajtur të premten.

Avokati Koci nuk la pa përmendur edhe luftën e Kosovës ku deklaroi se Sami Lushtaku disa herë ka rrezikuar jetën e tij për luftën që e solli lirinë për qytetarët por e njëjta luftë po i sjell atij probleme.

“Kam pritë që prokurorja vendore ka me rregulluar këtë padrejtësi. Kjo sot as nuk e din çka ka folë. Pas shtatë vjet këtu, çka mi bo Sami Lushtakut me këtë stres që e ka pësuar ky dhe krejt familja e tij”, tha ai.

Ndërsa edhe vet i akuzuari Sami Lushtaku tha se nuk kërkon mëshirë por kërkon drejtësi. Ai shtoi se absolutisht nuk i beson drejtësisë në Kosovë, dhe se ka pritur se prokurorja do të heqë dorë nga akuza.

“E tha edhe avokati jem që kjo akuzë ka qenë politike dhe e pabazuar në argumente e fakte. Publikisht ju kërkoj falje të gjithë këtyre sepse të gjithë të akuzuarit janë shkaku im këtu. Shtatë vjet e kanë shfrytëzu edhe mediat tona duke spekuluar me shifra, kaniherë duke ju bërë presion edhe juve”, tha Sami Lushtaku.