Arianit Koci: Kryeministër kemi nevojë për shpjegim rreth deklaratës për Vlora Çitakun

Vlora Çitaku, si ambasadore e Kosovës në SHBA dhe përfaqësuese në mbledhjet që Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mban për Kosovën, para dy vjetëve ishte përplasur me kryediplomatin serb, Ivica Daciq në OKB.

Çështja që kishte përplasur Daciqin e Citakun ishte arrestimi i kryeministrit Ramush Haradinaj në janar të vitit 2017 në Francë.

E, kjo e kishte bërë krenar Daut Haradinajn, deputet i AAK-së dhe vëllai i kryeministrit Haradinaj, që atë kohë po mbahej në Strasburg të Francës, pas një urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar ndaj tij.

Në një debat televiziv pas një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit, Daut Haradinaj kishte thënë se Vlora Çitaku po ia zbardh fytyrën Kosovës, shkruan Ballkani.info.

Ndryshe, sot kryeministri Ramush Haradinaj e ka akuzuar Vlora Çitakun se në Amerikë po punon për interesa personale të Hashim Thacit, e jo të Kosovës.

Më vonë reagoi Çitaku duke thënë se asnjëherë nuk ka punuar në mënyrë selektive dhe jashtë mandatit të saj.

Ajo tha se kryeministër i saj është Ramush Haradinaj.

Ndërkaq, avokati i njohur kosovar, Arianit Koci, thotë se ambasadorja Çitaku, në sytë e publikut konsiderohet si një prej diplomatëve më të mirë që kemi.

“Në anën tjetër, kryeministri Haradinaj e ka kritikuar rëndë. Çka po ndodh? Pse ky çakordim? A ka gabuar dikund Vlora, apo është diçka tjetër në pyetje? Kryeministër: kemi nevojë për shpjegim!”, shkruan Koci. /Ballkani.info/