Argjentina kalon Venezuelën me Lautaro-Lo Celso, në gjysmëfinale e pret Brazili (VIDEO)

Argjentina ka mundur 2-0 Venezuelën në çerekfinalet e Kupës së Amerikës dhe ka siguruar një vend në gjysmëfinale, ku do të përballet me Brazilin më 3 korrik.

Ka qenë një fitore relativisht e lehtë ajo e arritur nga bardhekaltrit në “Maracana”. Skuadra e Scaloni-t, edhe pse nuk ka shkëlqyer, ka arritur të marrë maksimumin duke bërë minimumin.

Takimi është zhbllokuar pas 10 minutash lojë falë një goditje me thembër të sulmuesit të Inter-it, Lautaro Martinez, dhe është mbyllur në të 74-ën, pas dhuratës që portieri i Venezuelës, Farinez, i ka bërë Lo Celso-s, i cili ka fiksuar shifrat në 2-0.

Leo Messi me shokë do të kthehen në fushë të mërkurën e ardhshme për t’u përballur me Brazilin, rivali i tyre i përjetshëm. Takimi do të luhet në orën 02:30 me orën tonë.