Ardian Ismajli: Urime Kosovës, ama unë zgjodha Shqipërinë dhe dua të flas vetëm për të

Ardian Ismajli debutoi mbrëmë për Shqipërinë me humbje të thellë 4-0 ndaj Skocisë, por pas ndeshjes u shpreh krenar që mori vendim për t’i mbrojtur ngjyrat kuqezi, në vend se ta pëfaqësonte Kosovën.
Kosovari deri tani ka luajtur për ekipin U-21 të Kosovës, por mori ftesë nga Shqipëria për ndeshjet e nëntorit, të cilën e pranoi dhe tani do ta përfaqësojë atë në arenën ndërkombetare.

Mbrojtësi i Hajdukut të Splitit erdhi në fushë në minutën e 28’, për të marrë vendin e lënë bosh nga kapiteni Mavraj, i ndëshkuar me karton të kuq, por natyrisht që nuk mund ta ketë imagjinuar kurrsesi një debutim kaq të hidhur.

Urime për debutimin. Në këtë natë të errët, ju na treguar se e ardhmja është shumë më e mirë…

Jam shumë i lumtur që debutova me Shqipërinë. Falënderoj presidentin Duka dhe trajnerin Panucci, që më dhanë mundësinë të përfaqësoj gjithë shqiptarinë anembanë botës.

Natyrisht një debutim i hidhur, që nuk e kishit imagjinuar…

Më vjen shumë keq që debutimi im erdhi në një mbrëmje ku gjithçka shkoi keq për skuadrën. U mundova të bëj më të mirën dhe të kontribuoj sa më shumë për skuadrën, por nuk ia dolëm. Gjithsesi duhet të shohim përpara dhe të gjejmë rrugën për të ecur drejt sukseseve.

Çfarë ndjeve, kur mësove se Kosova fitoi 0-5 në Maltë sot?

Unë i uroj suksese Kosovës, por kam zgjedhur të luaj për Shqipërinë dhe jam i bindur për këtë vendim. Unë jam lojtar i Shqipërisë dhe dua të diskutojmë vetëm për Kombëtaren Shqiptare./