Ardian Gjini: Ka dokument franko-gjerman, e kam parë edhe unë me sytë e mi

Kryetari i Komunës së Gjakovës dhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini në emisionin Pressing të T7, ka thënë se e ka parë një dokument që lidhet me marrëveshjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjini, duke shpjeguar dokumentin që ka parë, ka thënë se në dokument nuk shkruan që autorësia është frank-gjermane, por sipas tij, gjasat janë që dokumenti është dakorduar mes dy shteteve të BE-së, por edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Për me thënë pak më ndryshe… po dokumentin natyrisht që e kam parë, kam pa edhe letër. Janë sjellë. Domethënë, besoni që ato letra që janë sjell, ato janë, nuk ka tjera. Nuk ma kanë dhënë diplomatët atë dokument mua, por ka kanale të cilat e përcjellin. Domethënë ka dokument të shkruar. Kërkund nuk shkruan autorësia, nuk shkruan franko-gjerman, por sipas të gjitha gjasave, është i dakorduar mes Francës dhe Gjermanisë”, ka deklaruar Gjini në Pressing.

Gjini ka thënë se sipas rregullave të pashkruara të diplomacisë në botë, dokumenti nuk ka mundur të jetë i padakorduar me SHBA-në, ngase, sipas tij, kjo do të shkaktonte një problem të madh ndërkombëtar.

“Unë kisha dashtë me thënë që unë nuk besoj, që Franca e Gjermania e prodhojnë një dokument dhe e lëshojnë, nëse është i tyre, pa e dakordu edhe me shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mos harroni, që atëherë do të ishim në problem të madh ndërkombëtar”, ka thënë ai.

Ekzistencën e një propozimi franko-gjerman, e ka pranuar edhe vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se deri tani s’ka asgjë vendimtare e as përfundimtare.

Gjini, gjithashtu, ka folur edhe për modelin e shumëpërfolur, për ta zgjidhur mosmarrëveshjen Kosovë-Serbi, sipas modelit të dy Gjermanive. Ai ka thënë se ideja që qarkullon për një kohë të gjatë, nuk është shpjeguar mirë asnjëherë.

“Ideja e marrëveshjes gjermano-gjermane, është një ide goxha e moçme, e cila kurrë nuk është shpjegu në totalitet, as prej atyre që e kanë propozuar e as prej nesh”, ka thënë ai.

Sipas Gjinit, Kosova duhet ta mbyllë marrëveshjen me Serbinë, duke mos lënë çështje të hapura që do ta kthenin edhe një herë në negociata.

Nëse ndodh kjo, ka thënë ai, do të ishte dështim i qeverisë së Kosovës.

“Kosova nuk guxon me lënë rrugë, që ne edhe njëherë me lënë hapësirë me u ulë mas 10 viteve me Serbinë. Duhet me mshelë marrëveshjen me Serbinë. Nëse lihet rrugë për negociata me Serbinë, ka dështuar qeveria”, ka deklaruar Gjini.