Ardian Gjini: Do të ishte mirë që Rama ta diskutonte draftin për Asociacionin edhe me Kosovën

Kryetari i Gjakovës, njëherit nënkryetar i AAK-së, Ardian Gjini, ka thënë se do të ishte mirë që drafti për Asociacionin i propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të diskutohej edhe me Kosovën.

Siç citohet nga Tëvë1, Gjini ka deklaruar se “është pak pa lidhje me i thënë Edi Ramës ti s’ke të drejtë”.

“Mirëpo unë kam shumë të panjohura këtu. Nuk e di ai draft a është diskutuar të paktën në takime të veçanta edhe me Kosovën. Kishte me qenë mirë…a është diskutu me SHBA?! Nuk e di. Për mua ka shumë të panjohura këtu, mirëpo më besoni, nëse kish dal Gjermania ose Zvicra me një draft, Kosova nuk ish idhnu kaq shumë.” – ka thënë ai.

Ndryshe, sipas kryeministrit Edi Rama, draft statuti i cili ende nuk është publik dhe nuk dihet se çfarë përmban, është punuar nga “ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë dhe evropianë”.

“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe Scholz një draft të Asociacionit për të cilin kam vënë në dijeni edhe Charls Michel dhe palën amerikane. Është një draft punuar nga ekspert të nivelit më të lartë amerikanë dhe evropianë prej kohësh. Gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë.” – tha ai të enjten, derisa dha lajmin në lidhje me këtë çështje.