Arbër Zeneli shënon dhe bën një dedikim emocional për gjyshin që i vdiq para ndeshjes historike të Kosovës
Anësori kosovar Arbër Zeneli ia ka dedikuar gjyshit të tij të ndjerë golin e realizuar në fitoren e skuadrës së tij Heereneveen 3-1 ndaj Sittard të shtunën në ligën elitare holandeze Eredivisie.
Zeneli shënoi gol nga penalltia, të dytin për Heerenveenin, në fitoren e kësaj të fundit ndaj Sittard në Eredivisie, dhe këtë gol ia kushtoi gjyshit të vet, i cili i vdiq në ditën kur Zeneli shkëlqeu në fitoren historike të Kosovës ndaj Azerbajxhanit në Fadil Vokrri.
Mesditën e të martës së 20 nëntorit, Zekë Zeneli, gjyshi i Arbërit, ndërroi jetë ndërkohë që nipi i tij po përgatitjet për ndeshjen më të rëndësishme për të dhe vendin e tij Kosovën, që do të zhvillohej vetëm pesë orë më vonë.
Familja ia kishte mbajtur të fshehtë lajmin e hidhur Arbërit, në mënyrë që ai të mos kishte ndikim në paraqitjen e anësorit për Kosovën atë mbrëmje.
Arbëri bëri het-trik duke i ndihmuar Kosovës ta mposhtë 4-0 Azerbajxhanin dhe ta promovojë vendin në Ligën C të Ligës së Kombeve, si dhe t’ia sigurojë një vend në play-off për kualifikime në Evropianin 2020.
Ai e mori lajmin e hidhur vetëm pas këtij takimi.
Ndërsa sonte, më shumë se dhjetë ditë më vonë, Arbëri realizoi gol të cilin ia kushtoi gjyshit.
Ai ra në gjunjë dhe me duar të ngritur nga qielli e zbuloi maicën nën fanellën e tij me mbishkrimin: “Babgjysh, këtë gol ta dedikoj ty”, me një zemër të vizatuar nën mbishkrim.