Mjeku i njohur dhe kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Arbër Tolaj, ka vlerësuar lart takimin e mbajtur me strukturat e AAK-së në Deçan, duke theksuar se ky organizim ia ka forcuar bindjen se partia është në rrugën e duhur.

Tolaj, i cili në listën zgjedhore të AAK-së mban numrin 5, tha se në qytetin prej nga vjen lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, u mblodhën të gjitha strukturat e degës, përfshirë Shtabin, Kryesinë, Këshillin e Përgjithshëm, kryetarët e nëndegëve dhe kandidatët për deputet.

Sipas tij, takimi u karakterizua nga uniteti, serioziteti dhe gatishmëria për punë, duke dhënë një mesazh të qartë për qytetarët.

“Kur strukturat flasin me një zë, përgjegjësia ndahet dhe vendimet merren bashkë, atëherë mesazhi është i qartë: do të jemi krah qytetarëve, krah interesit publik dhe krah vlerave që përfaqëson Aleanca”, ka theksuar Tolaj.

Ai shprehu bindjen se vetëm përmes bashkimit dhe punës së përbashkët AAK mund ta çojë përpara vizionin e saj për një Kosovë më të drejtë, më funksionale dhe më të fortë.