Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Arbër Tolaj, ka zhvilluar një bashkëbisedim të hapur me banorët e Drenocit të Vokshit, së bashku me Gjeneralin Daut Haradinaj dhe kandidatët e tjerë për deputetë nga kjo parti.
Në këtë takim, i cili u karakterizua nga pjesëmarrje e madhe dhe atmosferë mbështetëse, banorët e Drenocit të Vokshit shprehën përkrahjen e tyre për programin e AAK-së dhe moton zgjedhore “Krah teje”. Tolaj e cilësoi këtë trevë si “shtyllë të qëndresës”, duke theksuar se është një zonë që historikisht nuk është përkulur përballë sfidave.
Sipas Tolajt, takimi ishte dëshmi se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës paraqitet si një front i përbashkët dhe i pathyeshëm, i ndërtuar mbi vlera vëllazërore dhe bashkëpunim të ngushtë mes kandidatëve dhe qytetarëve.
“Morëm bekimin e një treve që kurrë nuk ka ditur të përkulet. Faleminderit për energjinë pozitive dhe përkrahjen e parezervë”, ka shkruar Tolaj, duke falënderuar banorët për mikpritjen dhe mbështetjen e treguar.
AAK po vazhdon takimet elektorale nëpër Kosovë, në kuadër të fushatës zgjedhore, me synimin për të prezantuar programin e saj dhe për të forcuar lidhjen me qytetarët.







