Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), mjeku i njohur, Arbër Tolaj, ka zhvilluar një bashkëbisedim me të rinjtë në Deçan, së bashku me kandidatin për kryeministër, Ardian Gjini, dhe kandidatët e tjerë për deputetë nga kjo parti.
Tolaj e ka cilësuar takimin si një bashkëbisedim të jashtëzakonshëm me rininë e Deçanit, për të cilën tha se është plot energji dhe potencial.
“Deçani ka një rini të mrekullueshme, plot energji dhe potencial që refuzon ta shohë të ardhmen jashtë vendit”, ka deklaruar ai.
Sipas Tolajt, programi i AAK-së synon krijimin e mundësive konkrete për të rinjtë, duke lidhur arsimin profesional me tregun e punës dhe duke mbështetur bizneset e reja të udhëhequra nga të rinjtë.
“Plani ynë dhe i Aleancës është i prerë, jo më diploma pa punë! Do të lidhim arsimin profesional direkt me tregun e punës dhe do të fuqizojmë bizneset e reja e ‘Start-up’ të udhëhequra nga të rinjtë”, ka theksuar Tolaj.
Ai shtoi se dija dhe vullneti i rinisë janë baza e zhvillimit të vendit, ndërsa u shpreh optimist për mbështetjen qytetare në zgjedhje.
“Dija dhe vullneti i rinisë sonë janë motori i zhvillimit të Kosovës. Vazhdojmë fuqishëm dhe të bashkuar drejt fitores!”, përfundoi ai.
Arbër Tolaj garon në zgjedhje si kandidat për deputet nga lista e AAK-së me numrin 5.







