Mjeku i njohur, Arbër Tolaj, përmes një postimi në Facebook tërthorazi ka bërë të ditur se do të rikandidojë për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit, nga radhët e Aleanës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Përmes këtij postimi, Tolaj theksoi se dhjetori nuk është vetëm muaji i festave, por edhe i ndryshimeve të rëndësishme që priten për Republikën e Kosovës. Ai u bëri thirrje qytetarëve që, krahas festimeve familjare, të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të përcaktuar rrugën e vendit.
“Me 28 dhjetor, përmes së drejtës suaj, vendit do t’i sillni ndryshimin e madh, në të mirë të zhvillimit të përgjithshëm të shtetit”, shkroi Tolaj.
Bashkë me njoftimin, ai ka publikuar edhe një fotografi ku shihet së bashku me Ramush dhe Daut Haradinaj, figura qendrore të AAK-së, duke sinjalizuar mbështetjen e fortë brenda partisë për rikandidimin e tij.
Tolaj pritet të jetë një nga kandidatët kryesorë të AAK-së në listën zgjedhore, duke u fokusuar, siç ka deklaruar më herët, në çështjet e shëndetësisë dhe zhvillimit institucional. /Ballkani.info/







