Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Arbër Tolaj, ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Qeverisë për ndarjen e mjeteve financiare, duke e cilësuar atë si një përpjekje për fushatë elektorale me paratë e qytetarëve të Kosovës.
Sipas Tolajt, ekzekutivi ka injoruar për vite me radhë kërkesat e komunave, mjekëve, arsimtarëve dhe policisë, ndërsa tani, në prag të zgjedhjeve, po shpërndan mjete që ai i quan “lëmosha”.
“Pasi kanë bllokuar ekonominë dhe kanë varfëruar vendin, tani kujtohen të shpërndajnë mjete vetëm kur afrohen zgjedhjet. Kjo qasje tregon mungesë totale të vizionit dhe respektit ndaj dinjitetit të qytetarëve”, ka deklaruar Tolaj.
Ai ka theksuar se buxheti i shtetit nuk duhet të përdoret për interesa partiake, por për zhvillim ekonomik afatgjatë, investime në fabrika, infrastrukturë dhe krijim të vendeve të qëndrueshme të punës.
Tolaj ka shtuar se qytetarët janë të vetëdijshëm për situatën dhe nuk do të bien pre e, siç e quan ai, “lojërave elektorale”.
“Kosovës i duhet një qeverisje serioze që zhvillon ekonominë çdo ditë të mandatit, e jo vetëm kur afrojnë kutitë e votimit”, është shprehur ai.
#DrArberTolaj5 #AAK128







