Mjeku i njohur dhe kandidati i AAK-së për deputet me numrin 5, Arbër Tolaj, ka reaguar ashpër për gjendjen në sektorin e shëndetësisë, duke theksuar mungesën e barnave esenciale dhe barrën që po u bie pacientëve për sigurimin e terapive.
Tolaj ka deklaruar se çdo ditë, si mjek në QKUK, përballet me raste të dhimbshme kur pacientët dhe familjarët e tyre detyrohen të blejnë barna nga xhepi i tyre, pavarësisht se shteti ndan miliona euro për këtë sektor.
“Paradoksi është i madh kur pushteti krenohet me një buxhet prej 21 milionë eurosh për barna në Onkologji, ndërsa realiteti në klinikë tregon mungesë të theksuar të citostatikëve”, ka shkruar Tolaj.
Sipas tij, është e papranueshme që pacientët në gjendje të rëndë të futen në borxhe për të siguruar terapinë jetike që duhet të ofrohet nga shteti.
Ai ka kërkuar që fondet e ndara për barna të menaxhohen me përgjegjësi, duke eliminuar vonesat burokratike, keqmenaxhimin dhe keqpërdorimet, ndërsa ka insistuar në transparencë të plotë në procesin e prokurimit dhe menaxhimit të stokut të barnave.
“Si mjek, misioni im është të shëroj. Si deputet i ardhshëm, do të jem zëri i pacientëve dhe i profesionistëve shëndetësorë”, ka deklaruar Tolaj.
Kandidati i AAK-së ka bërë thirrje që më 7 qershor të ndalet keqmenaxhimi dhe të rikthehet dinjiteti në sistemin shëndetësor.







