Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me numër 5, Arbër Tolaj, ka vlerësuar lartë pritjen dhe mbështetjen e qytetarëve të Baballoqit, duke e cilësuar këtë takim si një dëshmi të fuqishme të atdhedashurisë, përkushtimit dhe vizionit për të ardhmen.
Përmes një postimi, Tolaj ka theksuar se mbrëmja e kaluar në Baballoq ishte e mbushur me emocione dhe krenari, mes njerëzve që, sipas tij, historikisht kanë qenë gardianë të pamposhtur të kësaj toke.
“Sonte, në Baballoq, u ndjeva mirë mes njerëzve që mbajnë gjallë atdhedashurinë… Baballoqi ka një fisnikëri të rrallë dhe një dëshirë të zjarrtë për ta parë vendlindjen e tyre të përkrahur dhe me perspektivë për rininë,” ka shkruar Tolaj.
Ai ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi janë dëgjuar kërkesat e qytetarëve dhe është shprehur gatishmëria për të shërbyer si urë lidhëse mes nevojave reale dhe zgjidhjeve që do të realizohen përmes angazhimit të përbashkët.
Tolaj ka falënderuar banorët e Baballoqit për mikpritjen dhe përkrahjen e vazhdueshme, duke i cilësuar ata si shembull të përkushtimit qytetar dhe mbështetjes së palëkundur për vizionin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe liderin e saj, Ramush Haradinaj.







