Mjeku i njohur dhe kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Arbër Tolaj, ka bërë homazhe në fshatin Damanek të Malishevës në nderim të heroit Kujtim Krasniqi.
Tolaj bëri të ditur se homazhet u zhvilluan së bashku me Gjeneral Daut Haradinajn dhe bashkëpunëtorë, duke theksuar rëndësinë e kujtimit dhe nderimit të dëshmorëve të kombit.
“Sot, së bashku me Gjeneral Daut Haradinajn dhe bashkëpunëtorë, bëmë homazhe në fshatin Damanek të Malishevës, për të nderuar heroin Kujtim Krasniqi”, ka deklaruar ai.
Sipas Tolajt, sakrifica e dëshmorëve mbetet themel i shtetësisë së Kosovës dhe obligim i përhershëm për institucionet dhe qytetarët.
“Gjaku i tij dhe heronjve të tjerë është themeli i shtetësisë sonë, andaj nderimi i tyre mbetet detyrë dhe obligim yni i përhershëm”, u shpreh kandidati i AAK-së.
Ai tregoi se gjatë vizitës kanë zhvilluar edhe takime me banorët e Damanekut, nga ku, sipas tij, kanë marrë mbështetje dhe motivim për angazhim të mëtejmë politik dhe qytetar.
“Në takim me banorët e Damanekut, pamë vullnet të madh që na jep forcë e na obligon që të punojmë edhe më shumë për një zhvillim të mirëfilltë, për dinjitetin e familjeve të dëshmorëve dhe për të ardhmen e sigurt të secilit qytetar”, ka shtuar Tolaj.
Arbër Tolaj garon për deputet nga lista e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me numrin 5.







