Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Arbër Tolaj, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore të Heroit të Kombit, Myrtë Zeneli, në fshatin Zllapek.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të shumtë, ndërsa pllaka përkujtimore u vendos në shtëpinë e familjes Ahmetaj, të cilën Tolaj e cilësoi si vatër me traditë të lartë atdhetare.
“Sot, me nder dhe krenari të lartë, së bashku me Komandantin dhe liderin tonë Ramush Haradinaj, dhe me bashkëluftëtarë e qytetarë të shumtë, morëm pjesë në zbulimin e pllakës përkujtimore të Heroit të Kombit, Myrtë Zeneli, në fshatin Zllapek”, ka shkruar Tolaj.
Ai ka vlerësuar kontributin e familjes Ahmetaj gjatë luftës çlirimtare, duke theksuar se ajo u rreshtua fuqishëm në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Tolaj bëri të ditur se gjatë ceremonisë janë nderuar edhe vëllezërit Rexhaj, të rënë dëshmorë të kombit.
“Lavdi e përjetshme Heroit Myrtë Zeneli, vëllezërve Rexhaj dhe gjithë dëshmorëve të Kombit!”, thuhet në reagimin e tij.
Arbër Tolaj garon në zgjedhje si kandidat për deputet nga lista e AAK-së me numrin 5.







