Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Arbër Tolaj, ka vazhduar aktivitetet e fushatës zgjedhore me një takim të madh me banorët e Gllogjanit, Nepolës, Llugagjisë dhe Kosuriqit.

Tolaj ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e treguar gjatë takimit, duke vlerësuar se energjia dhe mobilizimi i tyre janë dëshmi e besimit në vizionin dhe programin e Aleancës.

“Tubim me banorët e Gllogjanit, Nepolës, Llugagjisë e Kosuriqit. Faleminderit për mbështetje! Vazhdojmë të bashkuar dhe plot energji drejt fitores së përbashkët”, ka deklaruar Tolaj.

Sipas tij, takimet me qytetarët po konfirmojnë gatishmërinë për ndryshim dhe për një angazhim të përbashkët në funksion të zhvillimit të vendit. Ai theksoi se mbështetja që po merr AAK-ja në terren është motiv shtesë për të vazhduar fushatën me intensitet deri në ditën e zgjedhjeve.

Tolaj u shpreh optimist se uniteti dhe përkrahja e qytetarëve do të përkthehen në rezultat pozitiv për Aleancën, duke e cilësuar fitoren si një objektiv të përbashkët të të gjithë mbështetësve të saj.