Kandidati për deputet nga lista e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me numër 5, Arbër Tolaj, ka zhvilluar një takim me banorët e regjionit të Vokshit, i mbajtur në fshatin Drenoc, ku ka marrë mbështetje të gjerë për programin dhe vizionin e AAK-së.

Përmes një postimi , Tolaj ka bërë të ditur se gjatë këtij tubimi ka ndjerë vendosmërinë e qytetarëve për të mbrojtur dinjitetin dhe për t’i dhënë jetë projektit të përbashkët politik. Ai ka theksuar se përkrahja e treguar nga banorët e kësaj ane është dëshmi e besimit të ndërsjellë dhe e bashkëpunimit për të ardhmen.

“Kjo mbështetje fisnike është dëshmia më e pastër se programi ynë nuk është vetëm një ofertë, por një amanet që po e jetësojmë bashkë,” ka deklaruar Tolaj.

Ai ka falënderuar banorët e Drenocit dhe të regjionit të Vokshit për mikpritjen dhe përkrahjen, duke i cilësuar ata si “rrënja e pathyeshme e fitores sonë”.

Takimi në Drenoc vjen në kuadër të aktiviteteve elektorale të AAK-së në terren, ku kandidatët po zhvillojnë takime të drejtpërdrejta me qytetarët, me synimin për të prezantuar programin dhe për të ndërtuar një partneritet të fortë me komunitetet lokale.