Arbër Tolaj: Kurti i harroi kauzat atdhetare posa e mori pushtetin

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Arbër Tolaj, e ka kundërshtuar heqjen e taksës ndaj Serbisë, veprim që është paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës.

Tolaj ka thënë se me të marrë pushtetin Kurti i harroi kauzat atdhetare, përderisa në të kaluarën rrokulliste kamionët që bartnin mallrat serbe dhe inicionte fushata si “Duaje Tënden”.

“Po si ka mundësi që një gjë e tillë të ndodh nga  Lëvizja Vetëvendosje. Nga ky subjekt që  në të kaluarën jo të largët, ndërmerrte veprime kundër produkteve serbe. Ishte insistim i vazhdueshëm i këtij formacioni për të bojkotuar çdo gjë serbe, jo rrallë edhe duke i rrotulluar kamionët me produkte nga ky shtet, duke proklamuar kontinualisht moton ”Duaje tëndën”.  Por çfarë po ndodh sot? Me të marr pushtetin, Kurti harroj kauzat atdhetare, duke ngulmuar në heqjen e taksës, për ta zëvendësuar me njëfarë reciprociteti, nocion i cili  tashmë është inekzistent”, ka theksuar Tolaj.

Tolaj ka pyetur se si është e mundshme që Qeveria të marr një vendim të tillë pa bërë asnjë analizë.

“Si ka mundësi që kjo qeveri të merr një vendim të tillë  pa bërë asnjë  analizë të duhur për pasojat dhe kundër efektet e largimit, kur kemi parasysh luftën e egër që qeveria e Serbisë aplikon për të dëmtuar shtetësinë e Kosovës, gjithandej botës”, ka theksuar ai.

Tolaj ka thënë se AAK përfundimisht i thotë “JO” heqjes së taksës, derisa Serbia të jetë e gatshme ta njoh shtetin e Kosovës.