Mjeku i njohur, Arbër Tolaj, ka përkujtuar 27-vjetorin e rënies së martirëve dhe dëshmorëve në Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan, duke theksuar se këto data rikthejnë dhimbjen dhe kujtesën për sakrificën e popullit shqiptar.
Tolaj bëri të ditur se gjatë homazheve janë nderuar veprat dhe sakrifica e të rënëve në këto lokalitete, të cilat ai i cilësoi si dëshmi të luftës së fundit në Kosovë dhe të gjenocidit të kryer nga agresori serb.
“Masakra e Qyshkut, Pavlanit, Zahaqit dhe Llabjanit mbesin dëshmi e padrejtësisë dhe gjenocidit nga agresori serb”, ka shkruar ai.
Po ashtu, Tolaj ka nderuar edhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të rënë në beteja të ndryshme, përfshirë Skender Qekun nga Qyshku, Jahë Kabashin, Blerim e Bekim Kelmendin, si dhe Rifat Veselin nga Llabjani.
Në fund, ai shprehu respekt për familjet e martirëve dhe dëshmorëve të kombit.
“Lavdi e përjetshme dhe respekt për të gjitha familjet e martirëve dhe dëshmorëve të Kombit”, përfundoi Tolaj.
Tolaj në zgjedhjet e 7 qershorit kandidon për deputet në listën e AAK’së dhe mban numrin 5.







