Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Arbër Tolaj, ka reaguar ndaj, siç e quan ai, “bllokimit të qëllimshëm të buxhetit të komunave” nga pushteti qendror, duke premtuar decentralizim të plotë buxhetor dhe më shumë pavarësi financiare për komunat në vend.

Përmes një postimi publik, Tolaj ka theksuar se komunat kanë pësuar një nga goditjet më të mëdha në vitet e fundit për shkak të marrjes së të hyrave vetanake dhe kufizimit të mjeteve financiare nga niveli qendror.

Sipas tij, kjo qasje ka ndikuar drejtpërdrejt në bllokimin e projekteve lokale, dëmtimin e infrastrukturës dhe neglizhimin e kërkesave të qytetarëve.

“Ky centralizim mbyllës duhet të marrë fund. Komunat e dinë më së miri se ku duhet investuar”, ka deklaruar Tolaj.

Ai ka prezantuar edhe zotimet e tij si kandidat për deputet, duke theksuar se Aleanca synon:

  • Decentralizim të plotë buxhetor;
  • Më shumë fuqi dhe pavarësi financiare për komunat;
  • Kthimin dhe rritjen e buxhetit direkt në projekte lokale për rrugë, shkolla, çerdhe dhe shëndetësi;
  • Ndalimin e diskriminimit politik në ndarjen e granteve nga qeveria.

Tolaj ka shtuar se zhvillimi i Kosovës nis nga zhvillimi i komunave dhe se investimet lokale janë çelësi për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Kandidati i AAK-së garon me numrin 5 në listën zgjedhore të partisë.

#AAK128 #ArberTolaj5