Mjeku i njohur dhe kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Arbër Tolaj, i cili garon me numrin 5 në listën e AAK-së, ka zhvilluar një takim me gra, ku është diskutuar për sfidat sociale dhe ekonomike me të cilat përballen ato në Kosovë.
Tolaj tha se gjatë takimit është folur hapur për pabarazinë në punësim, mungesën e mbështetjes institucionale dhe nevojën për politika më të forta që garantojnë barazi gjinore dhe fuqizim ekonomik.
“Takim i frytshëm me gratë, së bashku me kandidatin tonë për Kryeministër, Ardian Gjini! Diskutuam hapur për sfidat, pabarazinë në punësim dhe mungesën e mbështetjes institucionale që ende e rëndojnë gruan në shoqërinë tonë”, ka shkruar ai.
Ai theksoi se një shtet i fortë ndërtohet vetëm kur gratë kanë siguri, respekt dhe mundësi të barabarta në shoqëri dhe ekonomi.
“Një shtet i fortë ndërtohet vetëm kur gruaja ka siguri, respekt dhe mundësi të barabarta”, u shpreh Tolaj.
Sipas tij, programi i AAK-së parasheh masa konkrete për fuqizimin ekonomik të grave, mbështetjen e nënave, luftimin e dhunës me bazë gjinore dhe rritjen e përfaqësimit të grave në vendimmarrje.
“Kur gruaja mbështetet, fiton familja dhe e ardhmja e Kosovës. Ndryshimi fillon duke i dhënë gruas vendin dhe vlerën që meriton”, ka deklaruar Tolaj.







