Mjeku i njohur Arbër Tolaj, njëherësh kandidat i AAK-së me numrin 5 në listën zgjedhore, ka bërë thirrje për vlerësimin e diasporës, duke e quajtur atë “aset kombëtar” për kontributin e vazhdueshëm ndaj Kosovës.

Në një postim publik, Tolaj ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar atë për, siç u shpreh ai, “përpjekje manipulimi me diasporën për qëllime elektorale”, ndërsa shtoi se kjo po ndodh në kohën kur “VV po e vëren rënien e elektoratit”.

Sipas Tolajt, qeveria aktuale “nuk ka bërë asgjë për të përkrahur dhe vlerësuar kontributin e diasporës”, ndërsa ka premtuar se ai dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të angazhohen për t’i qëndruar afër bashkatdhetarëve jashtë vendit.

“Ne si AAK, si dhe unë si kandidat, do të jemi krah tyre, duke e vlerësuar maksimalisht kontributin disa dekadësh të diasporës. Diasporë, zemra e Kosovës!”, ka shkruar Tolaj, duke e mbyllur mesazhin me sloganin e partisë: “AAK – Krah teje”.

Tolaj garon me numrin 5 në listën zgjedhore të AAK-së.