Mjeku i njohur dhe kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Arbër Tolaj, me numër 5 në listën zgjedhore, ka vlerësuar tubimin e mbajtur sot në Deçan, duke e cilësuar atë si madhështor dhe dëshmi të fuqishme të mbështetjes së vazhdueshme për Aleancën.
Përmes një postimi publik, Tolaj ka theksuar se Deçani vazhdon të mbetet zemra e mbështetjes për AAK-në, duke qëndruar gjithmonë krah vlerave të luftës, krah shtetit dhe krah ndryshimit të vërtetë.
“Sot, edhe një herë u dëshmua se kjo zonë mbetet zemra e mbështetjes për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Një qytet që gjithmonë ka qenë krah Aleancës dhe krah vlerave të luftës”, ka shkruar Tolaj.
Ai ka nënvizuar se energjia, pjesëmarrja e madhe dhe vendosmëria e qytetarëve në këtë tubim janë tregues i qartë se AAK nuk është parti e premtimeve boshe, por forcë e besimit dhe e veprimit konkret.
Sipas Tolajt, mesazhi që doli nga Deçani ishte i qartë dhe i fuqishëm: Kosova ka nevojë për përvojë, guxim dhe lidership të dëshmuar.
“Me Ramush Haradinajn në krye dhe me moton ‘Krah Teje’, vazhdojmë më të bashkuar se kurrë”, ka theksuar ai, duke falënderuar qytetarët e Deçanit për, siç u shpreh, mbështetjen madhështore dhe të palëkundur ndaj Aleancës.
Ky tubim është pjesë e aktiviteteve elektorale të AAK-së në prag të zgjedhjeve, ku Deçani po konfirmohet sërish si një nga bastionet kryesore të mbështetjes për këtë subjekt politik.







