Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me numrin 5, Arbër Tolaj, ka zhvilluar një takim me banorët e fshatit Treboviq në Komunën e Pejës, ku ka prezantuar programin e Aleancës dhe prioritetet për zhvillimin e zonës.
Përmes një postimi, Tolaj ka vlerësuar mbështetjen dhe mikpritjen e banorëve, duke theksuar se interesimi i tyre për programin e Aleancës përbën motiv shtesë për angazhimin e tij politik.
“Në Treboviq të Komunës së Pejës, banorët besuan në programin tonë, rrugën e zhvillimit dhe të sigurisë. Mikpritja e banorëve na jep forcë e vullnet”, ka shkruar Tolaj.
Ai ka deklaruar se, nëse merr besimin e qytetarëve, do të angazhohet që të përfaqësojë interesat e banorëve të kësaj zone në Kuvendin e Kosovës, me fokus në investime, përmirësimin e infrastrukturës dhe mbështetjen për familjet.
“Angazhimi im do të jetë zëri i tyre i fuqishëm në Kuvend, për investime reale, infrastrukturë moderne dhe mbështetje për çdo familje”, është shprehur kandidati i AAK-së.
Tolaj ka theksuar gjithashtu se Treboviqi meriton më shumë vëmendje nga institucionet dhe investime që do të ndikojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e kësaj pjese të Komunës së Pejës.
Takimi me qytetarët e Treboviqit u zhvillua në kuadër të aktiviteteve elektorale të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në prag të zgjedhjeve.







