Mjeku i njohur dhe kandidati i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për deputet me numrin 5, Arbër Tolaj, ka kritikuar gjendjen e arsimit profesional në Kosovë, duke thënë se shkollat po prodhojnë diploma, por jo kuadro të përgatitura për tregun e punës.
Përmes një reagimi publik, Tolaj tha se bizneset në vend po përballen me mungesë të fuqisë punëtore, ndërsa të rinjtë po largohen nga Kosova për shkak të mungesës së perspektivës dhe praktikës profesionale.
Ai theksoi se mungesa e kabineteve, laboratorëve dhe praktikës konkrete po e dëmton zhvillimin profesional të të rinjve.
Tolaj prezantoi edhe planin e tij dhe të AAK-së për ndryshim në këtë sektor, duke premtuar përshtatje të plotë të arsimit profesional me tregun e punës përmes kurrikulave të reja në bashkëpunim me bizneset.
Po ashtu, ai paralajmëroi krijimin e qendrave moderne të trajnimit me teknologji të avancuar dhe praktikë profesionale në çdo rajon të Kosovës.
Sipas tij, përmes subvencionimit nga shteti do të mundësohen edhe pagesa për praktikantët në ndërmarrjet private.
“Më 7 qershor, ndryshojmë drejtimin e arsimit dhe ekonomisë”, ka deklaruar Tolaj.







