Mjeku i njohur dhe kandidati për deputet nga radhët e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Arbër Tolaj, ka ngritur shqetësimin për numrin e madh të aksidenteve rrugore në vend, duke i cilësuar ato si “krizë të heshtur të shëndetit publik”.

Përmes një postimi, Tolaj ka deklaruar se aksidentet po marrin jetë njerëzish çdo ditë, ndërsa ka kritikuar institucionet për mungesë të masave konkrete në parandalimin e tyre.

“Shteti nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të parandaluar aksidentet dhe për të ruajtur shëndetin e qytetarëve”, ka shkruar ai.

Tolaj ka bërë të ditur se si kandidat për deputet dhe si pjesë e AAK-së do të angazhohet për rritjen e ndërgjegjësimit qytetar, por edhe për forcimin e masave ligjore dhe të sigurisë në trafik.

Sipas tij, është e nevojshme të shtohet monitorimi me kamera në akset kryesore rrugore dhe të investohet në infrastrukturë më të sigurt.

Ai po ashtu ka kërkuar mbështetje më të madhe për shërbimet emergjente mjekësore, duke theksuar nevojën për më shumë pajisje dhe personel në mënyrë që reagimi ndaj aksidenteve të jetë më i shpejtë dhe më efikas.