Arbër Ismajli, ish-kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Gjilanit, ka bërë të ditur se ka pranuar të kandidojë për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga radhët e LDK-së.

Në njoftimin e tij drejtuar qytetarëve, Ismajli theksoi se vendimi ka ardhur pas një “reflektimi të thellë” për përgjegjësinë ndaj qytetit, rajonit dhe Kosovës. Ai shprehu mirënjohje për strukturat e LDK-së, kryesinë dhe kryetarët e nëndegëve për besimin e dhënë.

Ismajli falënderoi në mënyrë të veçantë kryetarin e Degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe kryetarin e partisë, Lumir Abdixhikun, për, siç u shpreh ai, “vizionin e qartë dhe besimin” e vendosur tek gjenerata e re.

Duke folur për sfidat që e presin, Ismajli theksoi se rruga politike kërkon “seriozitet, përkushtim dhe ndershmëri”, vlera për të cilat tha se është angazhuar përgjatë gjithë karrierës së tij publike. Ai u zotua të përfaqësojë interesin e qytetarëve dhe të kontribuojë në zhvillimin e vendit, veçanërisht në fushat ku ka përvojë profesionale.

Ismajli u bëri thirrje qytetarëve për mobilizim dhe bashkëpunim në procesin zgjedhor, duke e vlerësuar këtë periudhë si “etapë me rëndësi të veçantë për të ardhmen e Republikës”.

Në fund, ai falënderoi qytetarët për besimin e dhënë deri më sot, duke shtuar se përkushtimi i tij ndaj tyre “do të jetë i plotë dhe i pandarë”.