Arben Vitia në dhjetor mund të nis punë të re

Po bëhen pesë ditë prej që kur kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia nuk e ka thënë asnjë fjalë për media. Madje as edhe një status nuk është shkruar në profilin e tij prej ditës së balotazhit. I fundit postim i Vitisë është ai i 14 nëntorit ku i bëhet thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë.

Arben Vitia e humbi garën për Prishtinën duke marrë mbi 1 600 vota më pak se kundërkandidati i tij nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Përparim Rama.

Me 1 tetor, Arben Vitia dha dorëheqje nga pozita e Ministrit të Shëndetësisë i bindur në fitoren e tij në garën për kreun e Prishtinës.

“Unë sot po e përmbyllë këtë detyrë që ma besuan. Unë nga tani e tutje do të jem pjesë e një ekipi tjetër që ka në fokus kryeqytetin tonë”, kishte thënë Vitia duke prezantuar punën që e ka bërë gjatë kohës sa ka qenë ministër.

Vetëm dy ditë pas humbjes së Benit në balotazh, kryeministri Albin Kurti e solli në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, kirurgun e njohur Dr.Rifat Latifi.

Po ditën e prezantimit të ministrit të ri të Shëndetësisë, Kurti foli pak edhe për Vitinë. Ai tha se nuk e sheh të nevojshme të vendoset shpejt se cili do të jetë pozicioni dhe angazhimi i ri e ish-ministrit të Shëndetësisë, Vitia.

“Se cilat do të jenë angazhimet e tij në të ardhmen, unë nuk mendoj se ka ndonjëfarë nxitimi që të vendosim tani. Kjo natyrisht bëhet varësisht prej planeve që i ka edhe vetë z.Vitia”, ka deklaruar Kurti.

Arben Vitia megjithatë nuk mund të mbetet krejt pa punë. Ai në dhjetor mund të betohet si asamblist i Kuvendit Komunal të Prishtinës pasi që ishte edhe bartës i listës së VV-së duke marrë 26 mijë e 988 vota. Nuk dihet nëse Vitia do të ulet në Kuvendin Komunal, apo do ta liroi vendin për dikë tjetër, por mundësinë aktualisht e ka.