Arben Vitia komenton tenderin që ish-shefat e tij e fituan nga Ministria e Shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e ka pranuar se kompania ‘Agani LTD’ ka fituar tenderë nga ministria që ai udhëheq.

Vitia ka thënë se në kompaninë që ka punuar, ish-shefat e tij me emrin e kompanisë ‘Agani LTD’, ka fituar tenderë, mirëpo e mohon se ka ndikuar në këtë.

“Sa i përket kompanisë Agani, unë në kompaninë Agani kam punuar 2004 deri më 2007. Kjo është publike dhe s’e kam mbajtur fshehtë kurrë”, ka thënë ai. “Si dhe, në vitin 2020, nga janari deri në këtë ditë që po flasim – u interesova pasi doli ky lajm – kompania Agani ka fituar 136 mijë euro tenderë; nga këto, 120 mijë janë fituar para se të vija unë në zyrë, ndërkaq 16 mijë euro janë fituar pasi që të vija unë”.

Megjithatë, Vitia nuk e ka komentuar mundësinë e ekzistimit të konfliktit të interesit në rastin e tenderit që firma private “Agani Ltd.” ka fituar nga Ministria e Shëndetësisë.

“Tani, kompania Agani, është nga kompanitë e para që ka vepruar me produkte farmaceutike në Kosovë. Unë besoj se Agani ka fituar vlera të larta financiare në vitet mëparshme”, ka thënë ministri Vitia.

Ministri Vitia është shprehur i hapur për hetimin e procedurave të dyshimta prokuruese të MSh-së.

“Pastaj me alokimin e 300 mijë eurove shtesë nga Qeveria e Kosovës, së pari kemi njoftuar Policinë e Kosovës dhe Departamentin e Krimeve Ekonomike, dhe kemi kërkuar nga ta që të vijnë e të na ndihmojnë që çdo lëndë e dyshimtë të merret dhe të hetohet. Jemi të hapur që çdo lëndë të hetohet nga çdo organizatë që dëshiron të bëjë analizën dhe të na ndihmojë edhe ne”, ka thënë Vitia.

Në mesin e tre përfituesve të një kontrate të Ministrisë së Shëndetësisë që peshon gati gjysmë-milioni euro, është edhe një firmë private e lidhur ngushtë me Arben Vitinë, udhëheqësin aktual të kësaj ministrie.

Firma private farmaceutike “Agani Ltd”, në të cilën ministri aktual i Shëndetësisë kishte punuar për tri vite, ka marrë hise të konsiderueshme në një tender për furnizim emergjent me barna.

“Agani Ltd” është njëra nga tri firmat përfituese të tenderit të emërtuar: “Furnizim emergjent me produkte farmaceutike për Corona-virus”. Vlera e përgjithshme e kontratës është 439 mijë (439.900,00) eurove.

Më 10 prill të këtij viti, kjo kompani private është përzgjedhur fituese e lotit 31 të tenderit, të vlefshëm 16 mijë (16.055,00) euro sipas një hulumtimi të Insajderit.