Arben Sadiku, ushtari i Kosovës që ‘lufton’ me penë dhe me pushkë

Javë më parë, botës së artit iu shtua edhe një poet. Dhe, lexuesit apo ata që i përkasin fjalës së bukur të shkruar, kanë rastin të kenë në duar edhe një titull më shumë, karshi librave të tjerë: “Zgjohem me Shpresën”, të autorit Arben Sadiku.

“Zgjohem me Shpresën”, është libri i parë me poezi i autorit Arben Sadikut, i cili njëkohësisht është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ballkani.info ka realizuar një intervistë me Arben Sadikun, të cilën ju sjellim në vazhdim:

Ballkani.info: Na flisni për librin që sapo keni botuar, çka përmban dhe sa poezi janë të përmbledhura?

Arben Sadiku: Librin të cilin e botova në muajin tetor të këtij viti, “Zgjohem me Shpresën”,  është një libër të cilin e kam shkruar kryesisht gjatë muajit maj. Është një libër në të cilin janë disa poezi, që kryesisht janë të lidhura me një personazh. Por, janë edhe disa poezi të tjera e që kryesishte janë poezi dashurie.

Ballkani.info: Që sa kohë keni filluar të shkruani?

Arben Sadiku: Me shkrime jam marrë që nga shkolla fillore. Por, përveq disa poezive që ua kam huazuar shoqerisë unë skam botuar deri tani, me perjashtim të disa poezive që i ka botuar portali Dritarja Online dhe portali Poezi/prozë ARS VERA ARS LONGA.

Ballkani.info: Si e përshkruani botën e artit dhe sa ndikon në shoqëri?

Arben Sadiku: jeta është art.  Arti është gjithçka dhe çdo gjë, ashtu e shoh unë nga kendi im. Pa art s’ka shoqëri, ska jetë. Ku, në shoqërin e sotme të dhënë pas internetit ndikon pak, sepse rrjetet sociale kanë bërë që interesimi të bie për çdo sferë të jetës.

Ballkani.info: Çka do të thotë të jesh poet?

Arben Sadiku: Nëse guxoj të marrë të drejtën ta quaj veten poet edhe do përgjigjesha…, të jeshë poet i stilit tim është shumë e vështirë sepse rrethi dhe shoqëria e ngatërrojnë me realitetin, ndërsa realiteti është krejt tjetër. Shembull konkret unë në çdo poezi timen që e postoj e shoqëroj me një foto të mikes sime, paramendoji fjalët që rrjedhin pas çdo postimi, pyetjet e mesezhet që marrim. E, këtu e shfrytëzoj rastin publikisht ti them ‘Faleminderit Donna që je dhe që ekzistojnë njerzit e guximshëm si Ti’.

Ballkani.info: Ku ndiheni më mirë në uniformë apo në poezi?
Arben Sadiku: Unë isha dhe jam Ushtar i Kosovës, dhe shpresoj deri në vdekje të jem Ushtar i vendit tim, kjo është krenaria ime më e madhe që më jep vullnet të eci në çdo ditë të jetës sime. E sa i përket poezisë, poezia ime ishte gjithmonë gjuha me të cilën kam folur, jam shprehur dhe e kam thënë atë që kam dashur, atë që kam ndier, atë që dua…

Ballkani.info: Çka ju inspiron më shumë, a mund të llogarisim edhe uniformën-shërbimin që bëni për qytetarët?

Arben Sadiku: Uniforma që barti, është pasuesja e ushtrisë së lavdishme të UCK-së, është nderi dhe krenaria jonë kombëtare pa e përzier me asgjë. Është e shenjtë, është diçka që është ëndërruar brez pas brezi dhe secili jo vetëm unë, por të gjithë ne Ushtarët e Lirisë, ishim jemi dhe do jemi në shërbim të qytetarëve dhe atdhuet, të gatshëm të jetojmë, punojmë e vdesim për atdheun tonë. Por, poezia është diç tjetër, është gjuha ime e të shprehurit, dhe inspirimi është diku krejt tjetër, largë uniformës.

Ballkani.info: Poezitë që shënoni janë përjetime personale apo imagiinare?

Arben Sadiku: Do doja që të isha shumë i sinqertë, ashtu si jam në jete. Poezia është gjuha ime e të shprehurit. Unë ndoshta kur pritoj të flas, shkruaj gjë që e kam bërë, që nga rinia ime e hershme. E secili nga ne kemi imagjinatën tonë, botën tone, jetën tonë e endrrën tonë..

Ballkani.info: Kur dhe ku do ta promovoni këtë libër?

Arben Sadiku: Sa i përket promovimit këtë do ia lë kohës, sepse të jem real librin që e botova kishte edhe koston e vet, dhe pa ndihmën e askujt e nxora nga shtypi. Promovimi e di që kushton, por besoj se një ditë do e bëj edhe promovimin.

Ballkani.info: Do të vazhdoni me poezi apo edhe prozën do t’ju sjellësh lexuesve në të ardhmen?

Arben Sadiku: Unë i kam të gatshme për shtyp diku rreth 15 libra, nëse bazohem në numrin e poezive (65 -80) sa ka ky libër, të cilat i kam shkruar vetëm në vitin 2018 … Këtyre ditëve e kam shkruar edhe një mini-roman ta quaj me diku rreth 200 faqe, për të cilin besoj së një ditë duke e shfletuar do e komentojmë, por për të parë dritën tërë këto poezi, pa ndihmën e ndonjë donator, s’do e shohin dritën kurrë.

Ballkani.info: Synimet apo planet në të ardhmen?

Arben Sadiku: Unë s’bëj shumë plane, unë çdo gjë ja lë rastësisë dhe kohës. Koha është ajo që do i dëshmoj planet e mija…

Ballkani.info: Për fund, cilën poezi do e ndani me lexuesit?

Arben Sadiku: “Nuk kërkoj është”, është poezia që e ndejej më së shumti:
“Unë paqe e qetësi
as në varre nuk kërkoj
në këtë jetë se kisha
në tjetrën as që e besoj…”.

Intervistoi: Mihane Hoxha / Ballkani.info