Arben Gashi: Kadri Veseli nuk e ka idenë si bëhet themelimi i Tribunalit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se do të ishte veprim i ulët i Flora Brovinës nëse e ka publikuar për arsye politike fotografinë e gruas së dhunuar nga forcat serbe.

Ai këto komente i ka bërë në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, duke shtuar se Kryeparlamentari Kadri Veseli nuk e ka idenë se për çfarë po flet kur po kërkon që të themelohet një tribunal për t’i gjykuar krimet e Serbisë në Kosovë.

“Gjatë dy dekadave të kaluara ka pasur iniciativa për t’i gjykuar krimet e kryera nga regjimi serb në Kosovë, mirëpo të gjitha ato janë zhvlerësuar si nga niveli vendor ashtu edhe nga ai ndërkombëtar”.

“Tani kemi një nismë nga Kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili ka kërkuar të formohet një komision shtetëror për themelimin e një tribunali për gjykimet e krimeve të Serbisë në Kosovë. Mirëpo, është dëshmuar në vazhdimësi se përfaqësuesit politikë nuk janë partnerë të besueshëm për t’u marrë me këto çështje”.

“Ende nuk dihet se cila do të jetë baza juridike e këtij tribunali dhe shumë gjëra janë të panjohura. Mbi të gjitha, këto të panjohura ne nuk mund të japin përgjigje se a e përkrahim themelimin e një tribunali të tillë apo jo. Ne jemi që të gjykohen krimet e Serbisë në Kosovë, por ne dëshirojmë ta bëjmë këtë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë”.

“Ne kemi gjykata të cilat funksionojnë që 20 vjet, por ato asnjëherë nuk janë marrë me këtë çështje. Deri tani asnjë serb nuk është hetuar apo dënuar për krimet e kryera në Kosovë”.

Arben Gashi e ka komentuar edhe publikimin e fotografisë nga Flora Brovina, ku mund të shihej një grua shqiptare duke u dhunuar nga tre ushtarë serbë në praninë e familjarëve të saj.

“Ishte dhimbshme dhe tmerrshme. Besoj se secili qytetar i Kosovës që e ka parë atë fotografi është ndier në siklet dhe i dobët”.

“Nuk e di sa ka qenë Flora Brovina e koordinuar me Kadri Veselin për publikimin e një fotografie të tillë. Mirëpo nëse kjo është bërë për arsye politike, mendoj se është një veprim shumë i dobët. Ajo ka qenë vetë pjesë e torturave. Mendoj se edhe ajo ka dhembshuri personale për këto çështje”.

“Kryetari i Kuvendit nuk e ka idenë se çfarë është duke bërë kur flet për themelimin e një tribunali dhe nuk e di se çfarë është drejtësia tranzicionale. Janë gjëra që nuk i kupton ai dhe kjo është çështje që ne nuk duhet përfituar politikisht ndaj njëri tjetrit”.