Arban Abrashi pas takimit me Vjosa Osmanin: Kjo është datë e zgjedhjeve

Arban Abrashi nga LDK pas takimit me u.d. presidentes Vjosa Osmanin, ka thënë se kanë diskutuar edhe për datën e mundshme të zgjedhjeve.

Ai ka thënë se është përmendur data 7 shkurt si e mundshme kur mund të mbahen zgjedhjet e reja.

“Data që është përmendur ka qenë 7 shkurti, ky është takim preliminar dhe më pas do të diskutohet”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se LDK është e gatshme për zgjedhje të reja, por para se të shkohet është mirë të votohet buxheti i vitit 2021.

“Sot diskutuam brenda është që duhet të gjejmë fuqi politike që të miratojë edhe buxhetin e vitit 2021, pasi është i lidhur edhe me ligjin për rimëkëmbje ekonomike, pasi edhe pagat edhe sistemi pensional edhe blerja e vaksinës varet nga buxheti. E mira e kësaj është që aktgjykimi i plotë nuk është bërë publik dhe kjo është mundësi e mirë që të votohet buxheti”, ka deklaruar ai.

Kujtojmë se Albin Kurti pas takimit me Osmanin ka thënë se nuk kanë diskutuar ndonjë datë të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.