Gjykatës Themelore

Aprovohet propozimi për dëgjimin e një të dyshuari që është në paraburgim për krime lufte

Mbrojtësi i të akuzuarit për krime lufte Çaslav Joliq, Miorag Bërklaç, ka propozuar dëgjimin e të dyshuarit për krime lufte Momir Pantiq. Pantiqi është në paraburgim nën dyshimin për krime lufte.

Gjykatës Themelore në Prishtinë, Bërklaç ia ka propozuar edhe dëgjimin e të dyshuarve të tjerë në bazë të aktakuzës që ndodhen në Serbi.

Por ky propozim është refuzuar nga kryetari i trupit gjykues, Musa Konxheli. 
“Refuzohet propozimi i avokatit mbrojtës për dëgjimin e Zoran Joliq, Vuko Pejçinoviq, me arsyetimin se mungon komunikimi mes dy shteteve, mes Kosovës dhe Serbisë – dhe këtë e ka konfirmuar edhe Ministria e Drejtësisë, përmes Zyrës për bashkëpunim ndërkombëtar”, është shprehur ai. 

Avokati e ka përmendur që në Gjykatën e Beogradit është një dhomë ku mundësohet videolidhja dhe se kjo ka qenë forma si ka dëshmuar dëshmitarja Milena Popoviq, në rastin gjyqësor lidhur me vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq. Prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina e kundërshtoi meqë tha se Serbia nuk bashkëpunon për çështjet e krimeve luftës.

E gjykata e refuzoi propozimin, meqë konstatoi se mungon bashkëpunimi.

“Sa i përket rastit të Oliver Ivaniviqit është e vërtet se është dëgjuar bashkëshortja Milena Popoviq … vetë e ka shprehur vullnetin që të dëshmojë …nuk ka pasur kundërshtime … Sa i përket dëgjimit të Momir Pantiq, gjykata lejon dëgjimin e tij meqenëse nuk është përmendur në dëshminë e dëshmitarit – të dëmtuarit Momir Pantiq … i njëjti do të ofrojë deklaratë në një ditë tjetër”, është shprehur Konxheli.

Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitares Sanja Markoviq e propozuar nga mbrojtja e Joliqit.

I akuzuari Joliq është deklaruar i pafajshëm në seancën e 14 dhjetorit 2022.

Prokuroria Speciale në nëntor të vitit 2022 ngriti aktakuzë ndaj Joliqit me pretendimet se gjatë kohës së luftës në territorin e Komunës së Istogut në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke i shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, ka aplikuar masat e torturimit dhe shkaktimit të vuajtjeve të mëdha apo cenimit të integritetit trupor ose shëndetit kundër popullsisë civile.

BONUS VIDEO