Apple zyrtarisht pronare e biznesit të Intelit me modemët e telefonave

Inteli e ka përmbyllur shitjen e pjesës më të madhe të biznesit të vet me modemë për pajisje mobile kompanisë Apple.

Marrëveshja, e cila u paralajmërua në korrik, vlen 1 miliard dollarë, edhe pse Inteli kohët e fundit theksoi se me këtë hap e ka shënuar një humbje shumë miliardëshe (për çfarë e fajëson Qualcommin), raporton Engadget.

Shitja përfshin vetëm biznesin e Intelit për modemët për telefona, pasi që prodhuesi i çipave akoma do të mund të krijojë modemë për kompjuterë, pajisje IoT dhe automjete autonome.

Me finalizimin e marrëveshjes, Apple do të ketë më shumë teknologji në zinxhirin e vet të furnizimit gjë që do t’i mundësojë kompanisë të bëhet edhe më e pavarur nga furnizuesit e jashtëm kur bëhet fjalë për dizajnimin dhe prodhimin e komponentëve kyçe për pajisje mobile.

Kompania prej kohësh është përpjekur të distancohet nga shitësit e jashtëm të çipave, ndërsa thashethemet sugjerojnë që Apple po planifikon të distancohet nga procesorët Intel në një prej kompjuterëve të vet dhe të kalojë tek procesorët e vet të bazuar në ARM.