Apostolova: Të ndalohet monopoli për homologim sepse kjo po dëmton qytetarët

Pas një shkrese me shqetësime drejtuar Kuvendit të Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian, sot pasdite në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, është diskutuar lidhur me monopolin në fushën e homologimit të veturave, si dhe për barrierat jo tarifore për importin e veturave të reja që kanë origjinën nga BE-ja.
Për këtë ishte e ftuar shefja e zyrës së BE-së ambasadorja Nataliya Apostolova, e cila tha se në Kosovë homologimi i veturave është një brengë e ngritur nga ana e BE, ngaqë në këtë fushë është krijuar një monopol në Kosovë.

“Ne jemi të brengosur për këtë monopol, sepse ka një udhëzim administrativ i cili ka rekomanduar zbatimin e ligjit… Kemi frikë se kjo kontratë do të vazhdohet automatikisht. Qytetarët po paguajnë çmime më të larta, po detyrohen të vijnë vetëm në Prishtinë të paguajnë 125 euro për homologim. Kjo është një barrierë për veturat. BE ka një brengë për këtë, sepse është kundër rregullave të BE dhe MSA. Autoriteti i Konkurrencës ka dhënë rekomandime për këtë. Andaj, ju si Parlament duke pasur mbikëqyrjen e qeverisë, duhet që qytetarët t’i marrin shërbimet më të mira dhe më të lira. Sepse homologimi aktual është kundër shpirtit të MSA-së”, tha Apostolova.

Deputeti i Vetëvendosjes Galuk Konjufca theksoi se në Kosovë askush nuk është në dyshim ajo se çfarë ka ndodhur me çështjen e homologimit të automjeteve.

Anëtarja e Komisionit Hykmete Bajrami tha se janë ankuar me vite të tëra për këto parregullsi në homologimin e automjeteve.

“Këtë çështje e kemi ngritur në korrik të vitit të kaluar dhe është kërkuar që ndalohet kjo dukuri, sepse është antiligjore dhe antikushtetuese. Që nga viti 2008 ne i kemi penalizuar qytetarët tanë me këto monopole”, tha Bajrami.

Deputetja Bajrami dhe kolegu i saj Krasniqi kanë akuzuar njëri tjetrin se nuk kanë ngritur këtë çështje sa ka qenë LDK dhe PDK në pushtet.

Ndërsa, deputeti Muharrem Nitaj theksoi se shqetësimet nga ana e BE-së ka kohë që janë edhe shqetësime të deputetëve, por tani sfida është sesi të zgjidhet ky problem.

Nitaj kërkoj përkrahjen e BE për zgjidhjen e problemit për homologimin e automjeteve.

Deputeti Memli Krasniqi tha se është një tregim i keq për Kosovën, që sot një ambasadore e BE kërkon të diskutohet për monopolin e automjeteve.

“Është për keqardhje që një temë me qëllim mirë rrëshqet në një debat opozitar. Sa i përket këtij mendimi, ne jemi kundër këtij monopoli, dhe si i tillë mund të sjell probleme. Andaj, pyes përfaqësuesit e BE-së, a është e rregulluar homologimi me direktivat e BE-së dha a ka ndonjë rast në shtetet e BE që ka monopol me automjetet?”, kështu ka pyetur Krasniqi.

Apostolova i është përgjigjur Krasniqit, duke thënë se konkurrenca është bazë e zhvillimit. Nuk ka asnjë shtet i BE që ka monopol, përveç Finlandës që ka një qendër shtetërore homologimi me cmime të volitshme.

“I kemi shprehur shqetësimet tona edhe ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj. Nëse vazhdojmë me këtë lojën e shfajësimit, nuk do ketë zgjidhje. Ky Udhëzim administrativ falë Zotit do të ketë fund. Andaj, kam ardhur sot këtu, që ta ngritni këtë çështje, sepse nëse nuk parandalohet ky monopol deri në korrik, do të vazhdohet edhe 10 vjet dhe qytetarët nuk e meritojnë këtë padrejtësi rreth konkurrencës”, tha Apostolova.

Anëtari i Komisionit Lutfi Zharku the se ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj ka mundësuar me anë të një Udhëzimi administrativ që të vazhdoj monopolin për homologim.