Apostolova lavdëron punën e bërë për liberalizim të vizave dhe gratë

Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka vlerësuar se në Kosovë megjithatë ka pasur procese që kanë shkuar mirë dhe janë kryer me përkushtim.

Në një intervistë për emisionin Desku në KTV, ajo ka thënë se Kosova ka treguar përkushtim të madh për të marrë liberalizimin e vizave, gjë që nuk ka ndodhur ende.

Ka lavdëruar edhe punën e grave në Kosovë.

“Nuk dua të tringëlloj aq pesimiste dhe nuk mendoj që jeta politike në Kosovë është aq e zymtë. Janë shumë raste, mbase më shumë se të tjerat, që Kosova ka treguar angazhim të fuqishëm. Një nga ta është p.sh. përkushtimi për liberalizimin e vizave. Nuk është një proces i lehtë, e di këtë shumë mirë sepse e kam përcjellë atë për vite. Ne kemi bërë një punë të mrekullueshme këtu në Kosovë, kemi punuar me institucionet dhe ne jemi ata të cilët e dimë shumë mirë se sa shumë Kosova ka treguar vullnet me qëllim që të mbyllen kriteret e vëna. Pra, kur ka këso lloj vullneti nacional, gjërat mund të ndryshojnë. Ju keni bërë një punë shumë të mirë në këtë drejtim, por rregulli i ligjit dhe gjitha problemet që janë të lidhura me luftimin e korrupsionit, krimin e organizuar, këto probleme janë gjithmonë të lidhura me proceset”, ka thënë Apostolova.

Ajo thotë se edhe pse janë përmbushur 95 kriteret, duhet të bëhet respektimi i tyre në vazhdimësi.

Ka folur edhe për unitetin te gratë.

“Ka pasur raste kur Kosova ka treguar unitet, dua të përmend rrjetin e grave. Keni gra fantastike në Kosovë, aq të përgatitura, aq të guximshme, aq të bindura se mund të udhëheqin, të kenë peshë në politikë. Si BE kemi krijuar një rrjet përfaqësuesish të të gjitha partive politike në Kuvendin e Kosovës dhe e vërteta është se këto gra gjatë projektit tonë, të trajnuara në negociata, nën udhëheqjen e partive politike apo politikëbërjes dhe në këtë mjedis, kapërcyen dallimet politike. Pra, ka shumë shembuj dhe s’dua të jem pesimiste. Mendoj se Kosova ka një të ardhme të ndritshme. Por, në këtë kohë të pandemisë, kur të ofrohet ndihma e donatorëve dhe atyre që duan ta ndihmojnë Kosovën, duhet t’i kapërceni dallimet politike dhe s’po e shoh këtë”, tha ajo.