Apostolova ia dorëzon raportin e KE-së Haradinajt: Për të hyrë në BE, duhen reforma paraprakisht

Shefja e BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova e ka dorëzuar raportin e progresit të Komisionit Evropian për Kosovën tek kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe ministrja e integrimeve Dhurata Hoxha.

Apostolova tha se mesazhi që është qëllim të përçohet nëpërmjet këtij raporti është rikonfirmimi i perspektivës evropiane për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Mesazhi më i rëndësishëm që duam t’iu japim medieve nëpërmjet këtij raporti të vendit është rikonfirmimi i perspektivës evropiane për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo është mjaft e rëndësishme, sepse komisioni i presidentit Juncker e ka bërë një hap të madh, duke prezantuar strategjinë e Ballkanit Perëndimor vitin e kaluar dhe duke deklaruar qartë se cilat janë problemet e regjioneve që aspirojnë integrim në Bashkimin Evropian”, tha Apostolova

Ajo gjithashtu është shprehur se kur flitet për Kosovën, raporti jep një reflektim të qartë ku gjendet vendi në implementimin e reformave.

Ajo ka përmendur fushat ku Kosova ka nevojë të fillojë reformat dhe ka dërguar mesazh të qartë duke thënë se: “Të jesh anëtare e BE-së, do të thotë të bësh reforma paraprakisht”.

“Kur bisedojmë për Kosovën, raporti jep një reflektim të qartë ku vendi gjendet në implementimin e reformave. Të jesh anëtare e BE-së do të thotë se paraprakisht duhet të bësh reforma. Pra, ky proces është proces i reformave. Në këtë dokument të madh kemi bërë analizat në sektore të ndryshme se ku gjendet Kosova. Kur shikojmë të gjeturat, mund të themi se Kosova ka bërë progres në disa fusha të caktuara. Disa kanë të bëjnë me qeverisjen, sikundër është reforma në Administratën Publike, statistikat në lidhje me ekonominë, sundimi i ligjit, e lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mirëpo, ekzistojnë fusha të tjera ku Kosova ende nuk duhet të implementojë me hapa më të shpejtë reformat në arsim, në ambient”, tha Apostolova.

Në fund ajo tha se nëse do ta përmbledhte raportin me disa fjalë, do ta quante se është ‘i përzier’.