Apetiti i Putinit për territore të reja, alarmon Ukraina: Rusia mund të nis operacion ushtarak sa hap e mbyll sytë

Ukraina kërkon veprim të shpejtë për të ‘frenuar’ pushtimin rus

Apetiti i presidentit autoritar të Rusisë, Vladimir Putin, është shtuar për të pushtuar edhe më shumë territor të Ukrainës, gjë që ka alarmuar këtë të fundit.

Ukraina bëri thirrje për veprime të shpejtë për të “frenuar” Putinin që po planifikon edhe një pushtim të Ukrainës. Ukraina është e shqetësuar se një operacion ushtarak rus mund të nisë “sa hap e mbyll sytë”.

Vendet perëndimore kanë ngritur alarmin këtë muaj për aktivitetin e raportuar ushtarak rusë pranë Ukrainës, me Shtetet e Bashkuara që thonë se kanë “shqetësime reale” për një grumbullim të ri trupash në kufi.

“Është më mirë të veprohet tani, jo më vonë për ta frenuar Rusinë”, tha Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba në një konferencë për media.

“Ajo që po shohim është shumë serioze. Rusia ka vendosur një forcë të madhe ushtarake në rajonet afër kufirit shtetëror të Ukrainës”, tha Kuleba.

Ai tha se Moska ka grumbulluar 115 mijë trupa rreth Ukrainës, në gadishullin e Krimesë – të cilin Rusia e aneksoi në vitin 2014 – dhe në dy rajone lindore të pushtuara nga separatistët pro-rusë.

Tanke, artileri, sisteme të luftës elektronike dhe forcat ajrore dhe detare ishin vendosur gjithashtu, shtoi ministri.

“Nëse Rusia vendos të ndërmarrë një operacion ushtarak, gjërat do të ndodhin fjalë për fjalë sa hap e mbyll sytë”, u tha ministri i Jashtëm gazetarëve.

Por ai shtoi se Ukraina, ushtria e së cilës është bërë “pa krahasim më e fortë” sesa kur luftëtarët e shkëputur në vitin 2014 pushtuan rajonet Donetsk dhe Lugansk në një konflikt të zjarrtë që ka marrë më shumë se 13,000 jetë, do të “luftonte kundër”.

Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë akuzojnë Rusinë për dërgimin e trupave dhe armëve për të mbështetur separatistët, pretendimet që Moska i mohon.

Pas një rritjeje të dhunës në fillim të vitit, Rusia grumbulloi rreth 100 mijë trupa në kufijtë e Ukrainës në pranverë, duke rritur frikën për një përshkallëzim të madh.