Apeli vërteton pafajësinë e të akuzuarit për krime lufte në Klinë, Milorad Zajiq

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, e cila e kishte shpallur të pafajshëm të akuzuarin për krime lufte, Milorad Zajiq.

Ai akuzohej se gjatë vitit 1998, ishte pjesëmarrës në grupin e forcave paramilitare serbe në ofensivat kundër popullatës shqiptare në fshatin Dush të Klinës.

Apeli përmes aktgjykimit të saj të marrë me 1 tetor të këtij viti, e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës(PSRK), duke e vërtetuar aktgjykimin lirues të Themelores në Pejë.

Gjykata Themelore në Pejë, më 8 mars të këtij viti, atë e kishte liruar nga aktakuza e PSRK-së për veprën penale “organizimi i grupeve për kryerjen e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës”, nga neni 160 par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Kosovës.

Fillimisht, Zajiq ishte akuzuar për veprën penale të “krimeve të luftës kundër popullsisë civile”, e penalizuar në nenin 152 të Kodit Penal dhe nenit 142 të Kodit të RSFJ-së, mirëpo prokurorja Habibe Salihu gjatë fjalës përfundimtare kishte bërë rikualifikimin e veprës penale në “organizimi i grupeve për kryerjen e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës”.

Apeli ka rrëzuar pretendimet ankimore të PSRK-së se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë ishte i marrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Në kohën kur kishin filluar ofensivat e forcave paramilitare serbe, sipas Apelit nuk ishte vërtetuar nga deklaratat e dëshmitarëve se i akuzuari Zajiq kishte qenë pjesë e këtyre forcave dhe të ketë gjuajtur me armë në drejtim të shqiptarëve.

“Nga deklaratat në fjalë, pra nga dëshmitarët e dëgjuar në seancën e shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtetuar se pikërisht i akuzuari ka qenë personi që ka shtënë me armë zjarri në drejtim të shtëpive të banuara me qytetarë shqiptar”, thuhet në aktgjykimin e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aty thuhet se dëshmitarët e provojnë faktin se në shtëpinë e të pandehurit kishte pasur forca paramilitare serbe, duke gjuajtur me armë nga shtëpia e të akuzuarit Milorad, mirëpo sipas Apelit, deklarimet e dëshmitarëve nuk janë të sigurta se në këto të shtëna ka marrë pjesë edhe vetë i akuzuari.

Sipas Apelit, në kohën e luftës, ushtria paramilitare serbe ka mundur të shfrytëzojë shtëpinë e të pandehurit për të bërë sulmet ndaj shqiptarëve, mirëpo që siç thuhet, nuk ishte provuar se Zajiq ishte pjesëmarrës.

Prokuroria Speciale e Kosovës në pretendimet e saj ankimore kishte potencuar se gjykata e shkallës së parë nuk kishte marrë për bazë faktin se ngjarja kishte ndodhur para 20 viteve, sulmet e paramilitarëve ku janë djegur shtëpitë në fshatin Dush, e si pasojë e këtyre sulmeve janë djegur edhe tani të ndjerit Zade, Osman dhe Haradin Marmullaku.

Me tutje, PSRK-ja pretendon se përveç deklaratave, dëshmitarët kanë gjetur dhe poseduar fotografi në shtëpinë e të pandehurit ku vërtetohet se ai ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Pretendimet e tilla për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, Apeli i ka cilësuar të paqëndrueshme, pasi sipas saj, gjykata e shkallës së parë në mënyrë të padyshimtë e ka vërtetuar gjendjen faktike në bazë të së cilës është liruar nga akuza i pandehuri Zajiq.

Fakti vendimtar nëse i akuzuari Zajiq ishte apo nuk ishte pjesë e forcave paramilitare serbe sipas Apelit është vërtetuar nga mbrojtja e të akuzuarit dhe deklaratat e dëshmitarëve Arif, Vesel, Gani, Ibish, Xhemë,Enver, Hajdin, Burim, Maxhun, Ali dhe Ramiz Marmullaku të gjithë nga fshati Dush i Klinës.

Sipas Apelit, të gjithë dëshmitarët vetëm e kanë krijuar bindjen se pjesëmarrës i këtyre sulmeve ishte i akuzuari Zajiq, mirëpo në anën tjetër, e kanë pranuar se drejtpërsëdrejti nuk e kanë vërejtur të akuzuarin Zajiq të ketë marrë pjesë në ushtrinë paramilitare serbe që kanë qenë të vendosura në shtëpinë e tij.

Ndërsa, në lidhje me fotografitë e gjetura ku shihen ushtarët serbë, Apeli thekson se sipas deklarimit të dëshmitarit Ibish Marmullaku rezulton se fotot janë gjetur në shtëpinë e një qytetari serb, e jo në shtëpinë e të akuzuarit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Milorad Zajiq, akuzohet për krime lufte, pasi pretendohet se gjatë periudhës kohore qershor-korrik të vitit 1998, në fshatin Dush të Komunës së Klinës, aktivisht kishte marrë pjesë si ushtar dhe paramilitar serb në ofensivat kundër popullatës shqiptare.

Në aktakuzë përshkruhet se i akuzuari Milorad, kishte përgatitur shtëpinë e tij që të shërbente si bazë e forcave serbe dhe nga shtëpia e të pandehurit ishin dhënë urdhra për ofensivë.

“Me datë 19 qershor 1998, rreth orës 12:00 në fshatin Dush, i pandehuri i veshur në pjesën e epërme me uniformë ushtarake dhe në pjesën e poshtme me pantollë civil, nga vetura e tij ‘Zastava’, ngjyrë e verdhë, shkarkoi tek shtëpia e tij në Dush, armë të kalibrit të ndryshëm”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri më pas ka shtënë prej shtëpisë së tij, me automatik në drejtim të shtëpive të shqiptarëve.

Ndërsa, në pasditen e së njëjtës datë, siç thuhet në aktakuzë, filluan sulmet e serbëve në drejtim të fshatit Dush, dhe nga shtëpia e të pandehurit u dhanë urdhra për ofensivë.

Gjithmonë sipas aktakuzës, si pasojë e këtyre sulmeve, në tërësi u dogjën shtëpitë e shqiptarëve në fshatin Dush dhe u dogjën Zade, Osman dhe Haradin Marmullaku, i cili ishte i paralizuar.

Sipas aktakuzës, pjesë e këtyre sulmeve ofensive ishte edhe vet i pandehuri Milorad Zajiq.

loading…