Sali Mustafa

Apeli më 14 dhjetor shqipton aktgjykimin në rastin e Sali Mustafës

Paneli i Gjykatës së Apelit ka caktuar 14 dhjetorin, ditën kur do të shqiptohet Aktgjykimi i Apelit në çështjen kundër Salih Mustafës, i dënuar më 26 vjet burgim për krime lufte nga Trupi i Gjykatës Speciale.

Seanca do të jetë publike dhe mund të përcillet në gjuhet shqipe, serbishte dhe anglishte përmes faqes së internetit të DHSK-së (https://www.scp-ks.org/sq/transmetim) me një vonesë prej 10 minutash, ose nga galeria publike në mjediset e Gjykatës. Gjykimi fillon në 9:30 në Hagë dhe mund të përcillet nga galeria për publikun i cili duhet të regjistrohet paraprakisht.

Gjithashtu, për ta përcjellë këtë aktgjykim, edhe gazetarët duhet të regjistrohen paraprakisht, njoftojnë Dhomat e Specializuara.

Kujtojmë se aktakuza e ngarkon Salih Mustafën në bazë të përgjegjësisë penale individuale dhe përgjegjësisë penale si epror me katër akuza për krime lufte (ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme) të kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në fshatin Zllash, në rajonin Gollak të Kosovës.

Sipas Aktakuzës, afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë dhe roja të UÇK-së patën të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Qëllimi i përbashkët përfshinte krimet e paraqitura në Aktakuzë.

Ndryshe, Gjykatësi i Procedurës Paraprake konfirmoi Aktakuzën kundër Salih Mustafës më 12 qershor 2020. Mustafa i njohur si “Cali” u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.

Më 7 maj 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues. Gjykimi filloi më 15 shtator 2021. Më 4 shkurt 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar mbylli paraqitjen e provave të veta. Mbrojtësja e Viktimave paraqiti provat e veta më 21 mars. Më 26 maj 2022, Mbrojtja mbylli paraqitjen e provave të veta. Deklaratat përmbyllëse u bënë në periudhën 13-15 shtator 2022.

Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022, derisa Trupi Gjykues e shpalli “Calin” fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim. Trupi Gjykues e shpalli Mustafa të pafajshëm për krimin e trajtimit mizor.

Shqiptimi i urdhrit për zhdëmtimin e viktimave u bë më 6 prill 2023. Trupi Gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë të gjithsejtë prej 207.000 euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve.

E më 2 shkurt 2023, Mbrojtja dorëzoi njoftimin për apel kundër Aktgjykimit. Në vijim, kryetarja caktoi Panelin e Gjykatës së Apelit të përbërë nga gjykatësit Mishel Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen. Seanca e apelit u mbajt më 26 dhe 27 tetor 2023.