Apeli liron nga akuza për korrupsion ish-kryetarin e Malishevës, Ragip Begaj

Me aktgjykimin e Departamentit Special të Gjykatës së Apelit, është ndryshuar aktgjykimi dënues i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ashtu që i akuzuari Ragip Begaj është liruar nga akuza për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi për media nga kjo gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të 14 prillit 2022, Begaj ishte shpallur fajtor për veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe ishte gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajve, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit i ishte zëvendësuar me dënim me gjobë në shumë prej 5 mijë euro.

Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e mbrojtësit dhe e ka ndryshuar aktgjykimin dënues, me arsyetimin se gjetjet e gjykatës së shkallës së parë nuk kanë qenë të drejta, me rastin e konstatimit të përgjegjësisë penale të të akuzuarit, për faktin se nuk është vërtetuar dashja apo qëllimi i të akuzuarit për të kryer veprën penale, që nënkupton se nuk janë përmbushur elementet e veprës penale, për të cilën akuzohej.

Sipas Kolegjit të Apelit, jo çdo shkelje përkatësisht çdo tejkalim apo çdo mos përmbushje e detyrave zyrtare konsumon veprën penale të Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit, ngase në mungesë të dashjes, shkeljet e tilla mbesin në kategorinë e shkeljeve administrative.

Tutje, sipas vendimit të Apelit thuhet se në këtë kontekst, veprimet në shkelje të detyrës zyrtare duhet të manifestohen përmes dashjes së drejtpërdrejt të të akuzuarit, ndërsa përgjegjësia penale duhet të ndërlidhet me qëllimin e kryerësit, i cili qëllim duhet të manifestohet përmes veprimeve, respektivisht të vijë deri te manifestimi i qëllimit për përfitim për vete apo tjetrin apo dëmtim të personit tjetër, qëndrim ky i konsoliduar edhe nga praktika gjyqësore.

Ndërsa, nga ana e Gjykatës së Apelit, ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës u vlerësua si jo lëndore, për faktin se pretendimet ankimore ishin vetëm në drejtim të sanksionit penal, e që me ndryshimin e aktgjykimit në atë lirues pretendimi është i pa objekt.