Salih Mustafa

Apeli ia ul dënimin Salih Mustafës nga 26 në 22 vite burgim

Gjykata e Apelit të Speciales ka shpallur aktvendim ndaj Salih Mustafës, duke e dënuar me dënim unik prej 22 vjet burgim për krime lufte.

Aktgjykimi u shpall të enjten në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, nga kryetarja e trupit gjykues Michele Picard, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjykata e Shkallës së Parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës, e kishte shpallur fajtor Salih Mustafën për krime lufte duke e dënuar me 26 vite burgim. Ndërsa gjatë seancave të Apelit, Salih Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.

“Unë kisha me thënë që edhe praktikisht edhe moralisht nihna i pafajshëm edhe pse juridikisht gjykata me ka shpallë të fajshëm, për shkak se jam i bindur që absolutikisht asnjë vepër për ato çka m’i ka ngarku prokuroria që tri vite nuk i kam konsumu”, kishte deklaruar Mustafa.

Salih Mustafa kishte paraqitur në Panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues me 26 vite burg të shqiptuar ndaj tij nga Gjykata Speciale më 16 dhjetor 2022.

Në seancën e mbajtur 26 tetor, mbrojtja e Salih Mustafës përmes avokatit Julius Von Bone ka thënë se gjatë shqiptimit të dënimit, trupi gjykues ishte selektiv dhe mori parasysh vetëm dëshmitarët që dëshmuan kundër Mustafës. Po ashtu, mbrojtja pretendoi se trupi gjykues ka bërë shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në rasti e shqiptimit të dënimit. Me këtë rast, avokati Von Bone ka kërkuar nga Apeli interpretim të Kushtetutës.

Ekipi i Sali Mustafës gjatë seancës së Apelit patën kërkuar që Sali Mustafa të shpallet i pafajshëm, por nëse jo, të ulet dënimi i tij.

Ndërsa, Zyra e Prokurorit të Specializuar në parashtrimet e veta kërkoi nga Apeli që të mbetet në fuqi aktgjykimi dënues ndaj Salih Mustafës. Sipas prokurorit Cezary Mihailzcuk, aktgjykimi është mbështetur në prova të besueshme.

Kurse, mbrojta e viktimave përmes avokates Anni Pues ishin shprehur se viktimat që marrin pjesë në këtë çështje gjyqësore shpresojnë që ky është hapi i parafundit për t’i dhënë fund dhimbjes së tyre

Ndryshe, aktgjykimi ndaj Mustafës ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim. Ndaj këtij aktgjykimi, Salih Mustafa ka dorëzuar dosjen e tij të apelit, kurse Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësit e viktimave duhej të dorëzonin dosjet e përgjigjeve deri më 5 qershor 2023.