Apeli ia shkurton vetëm tre muaj burgim Haradinajt dhe Gucatit

Gjykata e Apelit ka vendosur që të largojë vetëm tre muaj burgim, duke larguar nga verdikti aktakuzën për pengimin e personave zyrtarë.

Trupi gjykues e mori këtë vendim, pasi në gjykim të nivelit të parë ata u dënuar me katër vite e gjashtë muaj burgim, shkruan Demokracia.com.

“Paneli i gjykatës së Apelit pranon arsyen 11, 16 dhe pjesën përkatëse të arsyes 20 të apelit të z. Gucati dhe z. Haradinaj. Prapëson verdiktin e fajësisë së të dyve për pengimin e personave zyrtarë. Lë në fuqi verdiktin e fajësisë për frikësim përgjatë procedurës penale, shkelje dhe fshehtësisë të procedurës dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës përmes zbulimit të pa autorizuar të identiteve të dëshmitarëve. Gjithashtu anulon vendimin e njësuar prej 4 vjet e gjysmë dhe cakton një dënim për 4 vjet e 3 muaj”, njoftoi gjykatësja e Apelit.

Paneli i gjykatësve të Apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë ka konstatuar se ish-krerët e OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kanë përdorur “kërcënime të rënda” ndaj dëshmitarëve të mundshëm të Speciales.

“Është e qartë se trupi gjykues konstaton se të akuzuarit kishin përdorur kërcënime të rënda për ta nxitur dikë që të përmbahet nga dhënia e deklaratës”, tha kryetarja e trupit gjykues.