Tenderi 1.5 milionë euro që u bë ndërmjet Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” dhe kompanisë së sigurimit “Besa Security” është anuluar më 19 maj. Ani pse ishte dhënë kundërligjshëm, arsyetimi i komunës për anulimin e kontratës milionësh nuk kishte të bënte fare me pazarin që kishin bërë “Prishtina-Parking” dhe “Besa Security”.
Sipas të dhënave të publikuara në platformën e-prokurimi, ky tender anulohet pasi kompania e sigurimit “Besa Security” nuk kishte sjellur Sigurimin e Ekzekutimit me kohë.
“Ky aktivitet i prokurimit Anulohet në bazë të dispoziatave te LPP-se, për shkak qe Operatori Ekonomik që i është dhënë tenderi nuk ka sjellë Sigurimin e Ekzekutimit me kohë. Kërkesa për të sjellë sigurimin e ekzekutimit është bërë përmes email me datën 05.05.2022 ku u është lënë afati deri me 10.05.2022. Ndërsa Operatori Ekonomik është përgjigjur përmes emailit me datën 16.05.2022 me kërkesë qe ky afat te shtyhet deri ne fund te muajit Maj”
“Andaj duke pas parasysh që vonesat në këtë rast e dëmtojnë interesin dhe paranë publike dhe shto shkakun që AK është detyruar të fillojë me procedurë më të shpejtë, andaj për shkak të vonesës se OE në dorëzimin e Sigurimit te Ekzekutimit, ne kemi vendosur ta anulojmë këtë tender për të mos pasur vonesa më të mëdha”, thuhet në njoftim.
Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” më 17 maj të këtij viti kishte shpërblyer me tender në vlerë 1.5 milionë euro kompaninë e sigurimit “Besa Security” për vendosjen dhe menaxhimin e kamerave për trafik në Komunën e Prishtinës.
Me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, të mbyllur, “Prishtina Parking” Sh.a. ka përzgjedhur “Besa Security” që të realizojë projektin e vendosjes dhe menaxhimit të kamerave në trafik, shkruan Insajderi.
Kontrata parashihet të zgjasë tri vjet, bazuar në Dosjen e Tenderit.
Projekti parashihte identifikimin e shkeljeve tjera të trafikut në udhëkryqet kryesore të Prishtinës dhe lehtësimin e lëvizjes së makinave dhe trafikut në përgjithësi.









